Monday, January 6, 2014

Të dhena mbi malin e Tërbunit


Tërbuni ndodhet në jug të qytetit të Pukës një orë larg nga ky qytet. Lartësia e majës më të lartë  është 1476 m mbi nivelin e detit. Shtrirja e këtyre bjeshkëve është mjaft e madhe duke bërë që në rrëzë të tyre në pjesë të ndryshme të jenë vendosur një numër i madh fshatrash kryesisht blegtoral të cilët gjatë stinës së verës nxjerrin bagëtitë e tyre këtu për të shfrytëzur kullotat e shumta duke veruar në të ashtuquajturat stane. 
Tërbun ka forma e peisazhe nga me te ndryshmet duke filluar që në rrëzë të tij me luginat e përrenjve, shpatet e mbushura me lloje të ndryshme bimësie, mund të shohësh gryka e qafa, kodra e maja të larta, por ndër format e peisazhit që gjenden ketu në veçanti përmendim lëndinat, livadhet dhe fushat e shumta të cilat janë dhe hapsirat me të favorshme për qendrimin e turistëve,këto zënë një sipërfaqe të konsiderueshme dhe janë të shpërndara nëpër bjeshkë në lartësi të ndryshme. 
Bukuria e këtyre livadheve e fushave spikat sidomos në pranverë dhe në fillim të verës pasi kjo është 
periudha e gjelbërimit maksimal, duke bërë që bimësia në livadhe të jetë mjaft e larmishme. 
Numri i këtyre fushave është mjaft i madh ku përmendim: Fushën e Kabashit e cila ka dhe status turistik të miratuar që në vitin 1993 , Fushën e Lajit në të cilën më parë ka qënë projektuar të ndërtohej një fushë aviacioni ushtarak dhe një sërë fushash të tjera. 
Më kryesorja ndër ato çka përmendëm më lart, është Fusha e Tërbunit. Kjo është ndër fushat më të 
mëdha e cila arrin deri në disa qindra metra gjatësi gjithashtu është dhe hapsira më e frekuentuar nga turistët vendas dhe të huaj. Karakteristikë për këtë fushë si dhe për të tjerat janë ahet që ngrihen në mes të saj, duke krijuar një pejsazh piktoresk. Ndryshe këto ahe nga popullsia vendase quhen Mrize dhe mbahen si vende të paprekshmë, mosha e tyre mund të jetë deri në qindra vjeçarë. 
Me lart kësaj fushe 20 minuta larg saj, ndodhet Fusha e Kumullisë e cila është në lartësinë më të madhe mbi nivelin e detit. Edhe kjo hapsirë është mjaft e frekuentuar dhe ka një sipërfaqe të konsiderueshme.Për tu theksuar është prania e ujit të fresket i cili buron nga mesi i fushës dhe që nuk shterron asnjëherë, duke i dhënë jetë territorit përrreth e duke marrë pamjen e një oazi të vogël. 
Gjithashtu këtu gjendet edhe nje rezervuar i vogël artificial pamja e të cilit të krijon përshtypjen sikur ke të bësh me një liqen akullnajor, duke i dhënë një pamje akoma më të bukur fushës nga vetë vendoodhja e tij në qendër të saj. Edhe në këtë fushë ngrihen Mrize të shumtë. Poshtë aheve gjendën shumë shkëmbinj të mëdhenj në mes të cilëve pushuesit zakonisht ndezin zjarr për të gatuar mishin e gjengjit në hell,gatimtradicional i zones. Fusha e Qershisë ndodhet në periferi të bjeshkëve dhe është më e largëta nga të tjerat, por njëkohësisht dhe ndër më të bukurat për nga pamja. Kjo fushë njihet edhe me emrin Stanet. Kjo shtrihet në një hapsirë të madhe dhe e veçata e saj është se rrethohet nga të gjitha anët me mrize të shumta. Ahet këtu janë me dhjetra metra të larta dhe mund të jene qindra vjeçar.Territori është i pa dëmtuar nga njeriu për vetë faktin se është si traditë që mrizet nuk lejohen të priten.Kjo ka bërë që më shumë të jetë i pranishëm dëmtimi natyror se sa ai i bërë nga njeriu. 
Në mes të kësaj fushe dhe anash saj, gjenden disa burime uji të ftohtë të cilët kanë krijuar dhe njëfarë përroi të vogël duke i shtuar bukurinë fushës.Klima malore e kësaj zone e në përgjithesi e gjithë bjeshkëve të Tërbunit me gjelbërimin e pyjeve të ahut e të pishes, ka vlera kuruese të përshtatshme për sëmundje të ndryshme. 
Bjeshkët e Tërbunit dallohen për prezencën e lartë të florës ku më shumë bien në sy pyjet e aheve dhe pishave, por ka akoma zona pyjore të pa shfrytëzuara në të cilat gjejmë dhe pemë të rralla, siç është qershia e eger që është dhe bimë medicionale. 
Veç florës bjeshkët e Tërbunit kanë edhe faunë të pasur me lloje të shumta kafshësh të egra ndër të cilat mund të përmendim: ariun, ujkun, dhelprën, ketrin, kaprollin, gjelin e egër,pulën e egër,thëllënzën e malit etj. 
Përveç këtyre veçorive që përmendëm më lart Tërbuni shërben dhe si pikë strategjike, nga I cili mund 
të shohim malet e tjera fqinje që e rrethojnë: në lindje mali i Munellës, në veri-lindje mali i Krrabit, në veri pamja e Alpeve madhështore dhe mali i Cukalit që është pjesë e alpeve. Në perëndim liqenin artificial të Vaut të Dejës si dhe një pjesë të mirë të fushës së Nënshkodrës. 
Të gjitha ato që përshkruam më lart tregojnë se Bjeshkët e Terbunit ofrojnë kushte të përshtatshme 
gjeografike për zhvillimin e turizmit malor. 

Duke qenë se bjeshkët e Tërbunit, ndodhen në afërsi të qytetit të Pukës, zhillimit të sporteve të 
ndryshme si gjuatia, alpinizmi etj, mund ti shtohen dhe zhvillimi I turizmit kulturor dhe arkeologjik, me vizita në zona arkeologjike si kalaja e Dalmacisë në të cilën janë gjetur varreza e stoli të ndryshme. Këto zbulime janë dëshmi e gjalle e lashtësisë së këtyre zonave( shek VI-VIII). Kjo kulturë, ndryshe quhet si Kultura e Komanit dhe përbën mjaft interes për studiues dhe turistë të ndryshëm. 
Përveç kalasë së Dalmacisë ekzistojnë edhe mbetje të kalave të tjera mesjetare siç është kalaja e Lekës, Kryziut, e Micoit e Zhubit etj, të cilat mund të vizitohen nga afër. 
Kultura mesjetare e Komanit apo e vetë Pukës, dëshmohet më së miri në muzeun e qytetit i cili është i pasur me materiale historiko-shkencore, që deshmojnë traditën pukjane, me 
veshjet karakteristike për burra dhe gra, folklorin dhe veglat muzikore tradicionale të zonës. 
Bjeshkët e Tërbunit, përbëjnë një zonë me një të ardhme turistike, por që problem kryesor mbetet 
mungesa e infrastukturës. 
Me prioritet dhe ç`ka do ti jepte shtytje turizmit do të ishte ndertimi i shtëpive pritëse, të stilit alpin, 
karakteristikë të zonës.
_____
Publikon: Forumi Pukjan
Pergatiti: Gezim Kopani dhe ArTaNi
Fotografi nga Terbunit

No comments:

Post a Comment