(Qaf Bari)
I ndërtuar mes malesh në një vend tmerrësisht të thepisur mes maleve ku as drita e diellit nuk shihej shfrytëzoheshin dhe torturoheshin armiq te betuar te sistemit.
Burgu ndodhej rreth 18 km nga qyteti i Fushe-Arrezit i ndërtuar midis grykave të maleve. Në këtë burg ishin 500 të burgosur politikë që ishin dënuar mbi 25 vite burg. Kishte dhe shumë shqiptar nga Kosova të cilët ishin dënuar me dënime të lart. Këta të burgosur punonin nëpër galeritë e minierës me tre turne, shfrytëzoheshin barbarisht nga drejtuesit e burgut pa pikë mëshire. Në tunelet e nëndheshme gjetën vdekjen dhjetëra njerëz trupat e të cilëve më tej nuk u jepeshin familjarëve deri sa të vdekur të kryenin dënimin e plotë. Trupat pa jetë të të burgosurve varroseshin fshehurazi në një kodër që ndodhej mbi kampin. Kampi ishte i rrethuar me tre rreshta telash me gjemba, me lartësi mbi 4 metra, rreshti i mesit ishte i gjithi me rrymë elektrike dhe pjesa në mes telave ishte e minuar. Rrethimi kishte rreth 20 kulla vrojtimi në lartësi mbi 8 metra ku ushtarët ishin të pajisur me të gjithë llojet e armatimit. Afër kampit ndodhej dhe një repart ushtarak përveç repartit zyrtar që kishte detyrë ruajtjen e të burgosurve politikë. Në këtë burg ka qenë Moisi Miraka, djali i ministrit te Zogut Kol Miraka, Viktor Stratoberdha (regjisori i filmit Skenderbeu), Dilaver Noka, Vullnet Thanasi (nipi i Hysni Kapos), Gasper Gaspri, këngëtari Sherif Merdani, inxhinierët e grupit armiqësor të naftës të Lipe Nashit etj. E veçanta me shqiptarët e Kosovës ishte se ata i dënonin si agjentë të Serbisë UDB, të cilët ishin njerëz të pa fajshëm dhe në letrat që ju dërgonin familjes u shkruanin që të mos vini kurrë në Shqipëri sepse do të burgoseshin si ata. Por në të vërtetë ato mijëra letra të shkruar ndër vite nuk mbërritën asnjëherë në duart e të afërmve sepse ato letra të dhimbjes shpirtërore i përvetësonte shefi i sigurimit të burgut, komandanti Ludovik Cali, dhe drejtori i përgjithshëm i burgjeve Edmond Caja.
Këta të burgosur që 90% te tyre ishin njerëz me shkollë dhe intelektualë të mirëfilltë ishin kthyer në robotë të cilët ditë e natë punonin pa e kuptuar se po plakeshin dhe vitet e burgut nuk mbaroni. Gjysmë të zhveshur, shumë herë me barkun bosh, futeshin në minierë duke u shfrytëzuar si kafshe për të realizuar normën e vendosur nga komanda, e cila ishte e papërballueshme. Ata që nuk kishin mundësinë të realizonin normën, i priste Pashku i zi. Kështu e thërrisnin policin, i cili me një dru në dorë thyente kockat e këtyre njerëzve të kthyer në kufoma. Britmat nuk kishin te sosur. Një kriminel godiste ku mundej në kokë, duke nxjerre epshin e tij të shfrenuar mbi këta njerëz të pa mbrojtur dhe në moshë të madhe. Gjaku rridhte kudo në dhomën e xhelatit, siç quhej nga te gjithë. Por, nuk mbaronte me kaq. Mbas punës liheshin në shi dhe në dëborë, duke ju nënshtruar nga komanda një kontrolli çnjerëzor, duke i zhveshur me pretekstin e kontrollit mbas pune.
Kalvarit të mundimeve të tyre nuk ju shpëtonin as familjarët, të cilët megjithëse vinin nga larg dhe rrugën e bënin me këmbë prej 18 kilometrash, sepse shoferet ishin te urdhëruar të mos merrnin asnjë prej këtyre familjare megjithëse kishin dhe fëmijë të vegjël me vete, prisnin në shi dhe borë me orë të tëra për të takuar të dashurit e tyre. Qëllimisht takimin ja u realizonin në mbrëmje, kur policët me duart e tyre të pa larë, tek kontrollonin ushqimet e sjella me aq mundim dhe fukarallëk ja u hidhnin në plehra. Pas kësaj, familjarët ishin të detyruar të rrinin gjithë natën jashtë në qiell të hapur për të pritur mëngjesin që të largoheshin. Sigurimi i shtetit kishte futur oficerët e tij në burg si të dënuar për të kontrolluar dhe raportuar cilindo fatkeq që pëshpëriste ndonjë fjalë kundër regjimit komunist dhe për ta ridënuar përsëri atë fat zi duke i futur lakuriq në birucë në të dimrin egër ku temperaturat arrinin në shumë gradë nën zero. Me javë të tëra këta të dënuar ushqeheshin vetëm me një tas supë të prishur në ditë dhe me shkopin e gomës që nuk ju ndahej para supe dhe pas saj.
Pas shumë vitesh torturash çnjerëzore të dënuarit shpërthyen në revolt më 20 maj 1984. Fatkeqësisht kjo revoltë përfundojë në tragjedi njerëzore. Ishte mëngjes, të burgosurit u grupuan në shesh duke mos pranuar të shkonin në punë pa u plotësuar kërkesat e tyre. Më tej në kor, nga brenda rrethimit erdhi thirrja: poshtë komunizmi! Poshtë diktatura! Poshtë diktatori! Rroftë vendi i demokracisë, rroftë Amerika! Poshtë diktatori! Çfar’ kemi bërë, përse na trajtoni kaq çnjerëzisht, përse?! Kush jemi ne? Jemi shqiptarë, nuk e duam komunizmin, nuk e duam diktatorin! Duam lirinë, duam demokracinë perëndimore!
Në ballë të turmës së të dënuarve qëndronin Tom Ndoj, Sokol Sokoli, Petrit Bazelli, Anastas Dhamo, Nue Pisha, Kosta Gjordemi etj. Të cilët me zërat dhe fuqinë e tyre tmerruan kriminelët e diktaturës, qe te zverdhur si mehit nuk dinin çfarë të bënin. Komandanti i burgut Ludovig Cali, jepte urrdhëra sa majtas djathtas. I gjithë kampi u
rrethua me forca ushtarake të ardhura dhe nga Tirana. Snajperët zunë pozicionet kryesore.
Qindra e qindra forca të armatosura, të zverdhura dhe të tmerruara, prisnin urdhërin për të qëlluar mbi këta njerëz të pa armatosur. Nga Tirana me helikopter vjen drejtori i përgjithshëm i burgjeve Edmond Caja, i njohur mirë nga të dënuarit për krimet e tij ndajtyre. Ai ju kërkonte të dorëzoheshin, por asgjë nuk e ndalte më revoltën e drejtë
të këtyre bij nenash, që torturoheshin çnjerëzisht nga kriminelë të veshur me uniformë ushtarake dhe policore. Pa pritur, nga helikopteri, një zë i çjerrë me autoparlant bërtiti: Zjarr! Zjarr, mbi kriminelët!
Nga të katër anët filluan të qëllonin. Qëllonin! Qëllonin, por kundër kujt? Kundër vëllezërve të tyre të lënë pa bukë, pa ujë, brenda telave për dy ditë me radhë. Sokoli filloi të bërtiste largohuni vëllezër. futuni në kapanone, largohuni nga sheshi, na futën në grackë. Ishte shumë vonë. Sheshi filloj të skuqej nga gjaku i të vrarëve. Të plagosur hiqeshin zvarre. Britma nga të katër anët, “Mos, mos qëlloni, vëllezër jemi, shqiptarë! Sjemi sllave, mos! O zot, çfarë kemi bërë! Mos qëlloni, jemi të pa mbrojtur! Mos, mos!” Por thirrjet e tyre pak nga pak po i mbulonin breshëritë e pa fundme të të gjithë armëve të krimineleve, që gëzoheshin me viktimat e pafajshme. Kishte edhe nga ata që kur dëgjuan thirrjet ulën armët dhe nga sytë e tyre filluan të binin lot.
Por zëri i çjerrë nga helikopteri bërtiste, “Zjarr, zjarr!” Sheshi i kampit ishte i skuqur me gjak dhe kufoma njerëzish. Midis tyre shihej Petrit Bazelli i cili thërriste “Ndihmë vëllezër, ndihmë, mos me lini në duart e vrasësve! Bashkë me Petritin u futën për të ndihmuar mes plumbave, për tu ardhur në ndihmë shokëve të tyre të mbetur në shesh, Anastasi, Nuja, Toma, Kosta, Thoma Jergolati hapi lavanterinë për të strehuar shokët e plagosur.
Mjeku i kampit, Drang Vujoshevi dhe ky një i dënuar politik, mundohej të mjekonte sa të mundej për të shpëtuar nga vdekja viktimat e kësaj masakre të paparë dhe dëgjuar ndonjëherë.
Kudo shihej vetëm gjak, gjak dhe vetëm gjak me trupa pa jetë. Njerëzit tërhiqeshin zvarrë duke dhe i shkelmuar me këmbë, armë, shkopinj. Të dënuarit që shpëtuan pa plagë u lidhën me zinxhirë, ndërsa qentë e kufirin ndërsuleshim mbi trupat gjysmë të vdekur duke i copëtuar. E nesërmja do ishte më makabrja për sytë e të gjithëve, pa gjumë dhe të lidhur në rresht me zinxhira do ti detyronin te shihnin heroin e revoltës Sokol Sokolin nga Tropoja. Ashtu të plagosur dhe të sakatuar nga torturat çnjerëzore të bëra gjatë natës e tërhoqën zvarrë në mes të kampit, e shtrinë mbi një dru dhe e këputen në mes. Një vdekje e tmerrshme në sytë e të gjithëve, por vdekja e tij tmerroi më shume xhelatët që e vranë. Tom Ndoin dhe Nue Pishën i pushkatuan, duke ju treguar shokëve të tyre se i njëjti fat i priste. Mbi 30 veta u ridënuan dhe i nisen drejt burgut të Burrelit. Petrit Bazellin e priste biruca i lidhur këmbë e duar dhe torturat ënjerëzore. Kampi ju nënshtrua një represioni ënjerëzor. Të gjithë të dënuarit i lanë të lidhur, pa rroba dhe me orë të tëra jashtë. Rrugët që të çonin në kampin-burg u bllokuan, që askush nga banorët e atjeshëm të mos merrte vesh të vërtetën aq te hidhur, ku dora gjakatare e dirigjuar direkt nga Tirana Zyrtare po ushtronte mbi njerëzit, viktimat e diktaturës komuniste. Edhe pse vuajtën shumë njerëzit e burgut të Qaf Barit nuk e dhanë veten, por mbijetuan. Ata asnjëherë nuk kërkuan mëshirë dhe nuk e ulën kokën përballë xhelatëve që tashmë nuk po ngopeshin as me gjakun e tyre. Këta njerëz të pathyeshëm, heronj të demokracisë përsëri do gjenin mënyra për ta shprehur urrejtjen për diktaturën dhe njerëzit e saj.
Këta vuajtës të burgjeve të diktaturës dinë të falin dhe falën ata që i torturonin tmerrësisht. Edhe pse kriminelët komunistë u morën vitet e bukura të rinisë, ju shkatërruan familjet e tyre, të afërmit e tyre pësuan injorime nga pushteti proletariat, por përsëri falin.
Prandaj mirë do të ishte që dosjet të hapen jo për hakmarrje por për të mësuar të vërtetën dhe ata që i kanë duart me gjakun e njerëzve të pafajshëm të mos na qeverisin dhe udhëheqin sot edhe nesër.
Klithmat e Qaf Barit akoma nuk kanë pushuar dhe të masakruarit nuk do te prehen të qetë, përderisa ata qe i persekutuan, i pushkatuan dhe ju shkatërruan ëndrrat rinore. Sot po mbrohen me imunitete dhe pozita te ndryshme, bredhin e kapardisen me shoferë dhe makina të paguara nga xhepat e familjeve shqiptare.
Pra dosjet duhen hapur, jo për të dënuar njeri, jo për tu hakmarrë ndaj personave që shkaktuan tragjedi dhe dhimbje, por të paktën për të bërë një akt moral drejtësie pa gjyqe.
Viktimat e dënuar apo të pushkatuar nga urdhërat e tyre nuk kthehen më, të pushkatuarit e Spaçit nuk ngjallen, të mbyturit në kënetën e Maliqit nuk do të rikthehen.
Shumë prej tyre vini nga familje të shquara kombëtare, ishin intelektualë të shquar që kishin mbaruar edhe studimet në perëndim Prandaj zotërinj deputet e pushtetarë bëjeni të paktën akt moral të pastërtisë. Hapini dosjet pa frikë që ta shikojmë njëri-tjetrin drejtë në sy pa urrejtje.
No comments:
Post a Comment