Thursday, January 17, 2013

KULTURA E KOMANIT-DËSHMI E VIJIMËSISË ILIRO-ARBËRORE

Tiparet e kulturës së Komanit (Arbërore)


Autor: Prof. Dr. Myzafer Korkuti

Mangësitë e burimeve të shkruara nga Mesjeta e herëshme shqiptare ndikuan që t’u jepej përparësi kërkimeve arkeologjike shqiptare si një nga mundësitë parësore për të ndriçuar këtë periudhë të hershme. Gjatë 40 vjetëve të fundit të shek. XX në sajë të gërmimeve dhe kërkimeve sistematike në varrezat në qytetet e në qytezat e hershme mesjetare, u grumbullua një lëndë e pasur dhe e larmishme arkeologjike, mbi bazën e së cilës u ndriçuan çështjet më kryesore të mesjetës së hershme. Kultura e Komanit u bë pika e referimit për shumë probleme; ajo u vu në themel të argumentimit të tezës së autoktonisë së shqiptarëve. Ndaj është e nevojshme të njihemi hollësisht me kulturën e Komanit, me historikun e zbulimit të saj, me tiparet e kësaj kulture, me datimin e saj, me marrëdhëniet me kulturat e tjera, me përkatësinë etnike dhe me thelbin historik të kulturës arbërore të Komanit.
Zbulimet e para, të bëra në varrezën e Kalasë së Dalmacës, e cila ndodhet në afërsi të fshatit Koman të rrethit të Pukës, i takojnë fundit të shek.XIX, kur konsulli francez në Shkodër A.Degrand hapi disa varre, të cilat dhanë një inventar të pasur, mbi të gjitha, të pa njohur më parë. Nga fshati ku u zbulua kjo kulturë mori dhe emrin: kultura e Komanit. Më pas studiues të tjerë të huaj, bënë gërmime në varret e Komanit, i përshkruan në botime apo i ribotuan objektet arkeologjike të zbuluara vetë, apo nga banorët e fshatit Koman, duke
dhënë mendime për karakterin e kësaj kulture, për bartësit dhe moshën e kulturës së Komanit. Interesi për këtë kulturë u shtua edhe gjatë gjysmës së parë të shek. XX, gjë që duket nga numri i shumtë i studiuesve, që u morën me interpretimin e lëndës arkeologjike të grumbulluar nga zbulimet e bëra në varrezën e Komanit (S.Reinah, T.Ipen, P.Treger, Fr.Nopça, L.Ugolini, L.Rei, H.Bule, D.Mustili, M.Garasanin, J.Kovaçeviç, J.Koroshec etj.).
Edhe pse gjatë gjysmës së parë të shek. XX u bënë kërkime e studime të shumta rreth kulturës së Komanit, problemet themelore të saj mbeten të pazgjidhura. Gërmimet jo të rregullta, të bëra më tepër për të marrë inventarin e varreve dhe sidomos njohja e pamjaftueshme e kulturës së Mesjetës së Hershme shqiptare, bënë të shfaqeshin mendime dhe pikëpamje shumë të ndryshme për tri probleme bazë:

a) për përbërësit e kulturës materiale të Komanit
b) për moshën e varrezës
c) për përkatësinë etnike të bartësve të kulturës së Komanit.

Ndriçimi i këtyre problemeve themelore, të kulturës së Komanit, u bë i mundur në sajë të kërkimeve dhe studimeve sistematike shumëvjeçare të arkeologëve shqiptarë prof. S.Anamali, dr. H.Spahiu, prof. N.Bodinaku, etj. Gërmimet e para sistematike u bënë në varrezën e kalasë mesjetare të Krujës, në vitet 1959-60, kurse më 1961 u bënë gërmime në varrezën, tashmë të njohur, pranë kalasë së Dalmacës. Lënda e pasur arkeologjike e gjetur nga hapja e 40 varreve, plotësoi një mungesë të ndjeshme, që ishte ndjerë në zbulimet e hershme në këto varreza. Në vitet që pasuan u bënë gërmime edhe në varreza të tjera si në atë të Buklit (rrethi i Mirditës) në vitin 1963, në të Shurdhahut (rrethi i Shkodrës) në vitet 1965 e 1967, në të Lezhës, në vitin 1968, në të Prosekut në vitin 1989 (rrethi i Mirditës) ndërsa në vitet 1985 dhe 1986 u ndërmor një gërmim kontrolli në varrezën e Komanit. Shkalla e njohjes për kulturën e hershme mesjetare shqiptare u zgjerua edhe me zbulimet, që u bënë në disa varreza tumulare të Shqipërisë Jugore e Juglindore, si në Dukat (rrethi i Vlorës), në Prodan e Rehovë (rrethi i Kolonjës), në Rapckë e Piskovë (rrethi i Përmetit) dhe në Patos (rrethi i Fierit).
Kultura e antikitetit të vonë dhe të mesjetës së hershme, u ndriçua në drejtime të reja nga këndvështrime më të gjëra, me kërkimet që u ndërmorën në disa qytete, qyteza e kala si edhe në shumë monumente të kultit të këtyre periudhave, si në kalanë e Pogradecit, të Shurdhahut, të Beratit, të Kaninës, në Gradishtën e Symizës (rrethi i Korçës), në qytetin e Onhezmit (Sarandë), në kalanë e Shkodrës , në qytetin e Durrësit e të Vlorës, etj. I madh e me shtrirje të gjërë, është edhe numri i bazilikave, si monumente paleokristiane, të gërmuara e pjesërisht edhe të studjuara, si bazilika e Linit, e Bradasheshit (Elbasan), e Arapajt (Durrës), e Ballshit, disa bazilika në qytetin e Bylisit, bazilika e Mesaplikut (Vlorë), ajo në qytetin antik të Antigonesë (Gjirokastër), e disa dhjetra bazilika të tjera që janë gjetur por që ende nuk janë gërmuar.
Problemet e kulturës së Komanit nuk kanë mbetur jashtë vëmendjes së historianëve dhe të linguistëve shqiptarë. Qysh në vitet 30të Sh.Demiri (Demiri, Sh. 1935,1936) ka dhënë një informacion për këtë kulturë, duke e datuar atë në vitet 600-800 të e.sonë. Rrethçështjes së moshës së varrezës së Komanit, në vitin 1949, u shpreh edhe Hasan Ceka, i cili duke lexuar mbishkrimin e unazës së Komanit, shprehu mendimin se nuk kishim të bënim me një mbishkrim ilir, por me një formulë lutjeje të krishtere dhe se koha së cilës i përkiste unaza me mbishkrim, së bashku me gjetjet e tjera duhet të shtrihej deri në shek. XI (Ceka,H. 1949, 89-93). Për leximin e mbishkrimit në unazat e Komanit përpjekje ka bërë edhe E.Çabej (Çabej,E. 1957,2). Një analizë të hollësishme i ka bërë mbishkrimit KEB/OHON/ANA të unazës së Komanit dhe L.Ognenova, e cila mbështet mendimin se kemi të bëjmë me një formulë kristiane greke, e cila i takon, sipas saj, shek.VI-VII (Ognenova,L. 794-799). Vlen të shënojmë se unaza të ngjashme me mbishkrimin ANA OHOH KER, janë gjetur edhe në varrezat mesjetare të Shqipërisë Jugore, madje në këto unaza fusha rreth mbishkrimit është e zbukuruar me incizime (Bodinaku,N. 1983,1,245). Tekstet e këtyre mbishkrimeve janë të njëjtë: kemi të bëjmë me një formulë kristiane në gjuhën greke mesjetare, “kyrie voithi” që përkthehet: “ndihmo o zot”. Në pikpamje kohore ato unaza nuk i takojnë vetëm shek. VI, por kanë patur një përdorim e shtrirje më të gjërë kohore.
Në sajë të kërkimeve arkeologjike 40 vjeçare është arritur që kultura e Komanit të njihet sot nga 28 varreza të mëdha e të vogla dhe nga shumë gjetje të rastit, të cilat gjeografikisht kanë një shtrirje territoriale mjaft të gjërë, që nis nga veriu me liqenin e Shkodrës, vazhdon me luginën e mesme të dy Drinave dhe në jug arrin deri në Durrës, kurse në juglindje shtrihet përreth liqenit të Ohrit. Zbulimet e bëra në varrezat e mesjetës së hershme të Kolonjës, të Përmetit, të Dukatit, të Patosit, të marra së bashku, krijojnë një tërësi, një pamje mjaft të plotë të zhvillimit kulturor të trevës së vendit tonë gjatë mesjetës së hershme.
Të njihemi më nga afër me treguesit kryesorë të kulturës së hershme mesjetare shqiptare, të kulturës arbërore.
Varrezat e mesjetës së hershme gjenden në afërsi ose pranë mureve të kalasë, po gjithmonë jashtë saj. Arkitektura e varreve është e thjeshtë. Varret kanë formën e një arke drejtkëndëshe, të bërë me rrasa guri, të vendosura pingul, por ka edhe varre anët e të cilëve janë bërë në formë muri me gur mesatar, me lidhje të thatë ose edhe me llaç. Mbulesa e varrit ka qenë bërë nga pllaka të vendosura në formë çatie dy ujëshe ose të vendosura horizontalisht. Riti i varrimit në të gjitha rastet është i njëjtë. Trupi vendosej direkt në tokë, i shtrirë në shpinë, ndërsa pozicioni i vendosjes së duarve ka qenë i ndryshëm, herë të shtrira e herë të vendosura mbi trup. Edhe orientimi i varreve në përgjithësi është i njëjtë; në më të shumtat e rasteve ishte lindje-perëndim, me shmangje të zakonshme, sipas stinëve të vitit (pozicionit të diellit në kohën e varrimit), me orientim veri-lindje, jug-perëndim, veriperëndim-juglindje; po ka edhe raste që varret kanë qenë vendosur me orientim veri-jug. Këto rite zbatoheshin si në rastin e varreve individuale ashtu edhe në varrimet familjare.
Edhe inventari i varreve të kulturës arbërore është në përgjithësi i njëjtë. Ai përbëhet nga stoli, armë, vegla pune, enë balte dhe shumë më rrallë enë qelqi. Nga inventari veçohen stolitë, të cilat përbëjnë një tërësi të madhe e të larmishme objektesh; ato lidhen me stolisjen e
trupit e të veshjes dhe kanë patur funksion praktik e dekorativ. Stolitë janë punuar nga metale të ndryshme si prej bronzi, argjendi, ari e hekuri. Në morinë e madhe të objekteve të zbukurimit një nga më karakteristikat e kulturës arbërore është fibula me këmbë të përthyer, e punuar në bronz dhe hekur. Në radhën e objekteve me përdorim të madh janë broshat e punuara në bronz po edhe në argjend. Në radhën e stolive të kulturës arbërore vathët janë nga më të bukurit. Ato janë të punuar në bronz, argjend e më rrallë në ar, por shquhen për shumëllojshmërinë dhe cilësinë e lartë të realizimit të tyre, ndaj ato janë stolitë më të bukura dhe më interesante të kulturës arbërore. Midis tyre mund të veçonim vathët që kanë formën e një drapëri hëne, vathët me varëse në formë trapezi, në formë vile rrushi, etj. Stoli me përdorim të gjërë janë edhe byzylykët si edhe varëset e mëdha dhe togëzat e rrypit. Me përdorim të kufizuar janë rruazat dhe enët prej balte.
Njohja e plotë e lëndës arkeologjike të zbuluar në varrezat arbërore i ka çuar studiuesit shqiptarë në përfundimin se kultura materiale e shpirtërore e zbuluar në këto varreza formon një tërësi dhe për rrjedhojë lidhet me një poullsi të vetme vendase.
Para se të kalojmë tek problemi themelor i trajtesës sonë, ai i bartësve të kulturës së Komanit, është e nevojshme të ndalemi rreth datimit të saj, tek përcaktimi i kohës së lindjes dhe zhvillimit të kulturës arbërore.
Mungesa e materialit numizmatik dhe e mbishkrimeve i vuri të gjithë studiuesit e kulturës së Komanit para vështirësive të datimit dhe i detyroi të mbështeteshin në tipologjinë e disa objekteve dhe në analogjinë e objekteve të zbuluara më parë dhe të datuara më mirë. Por datimet e mbështetura mbi tipologjinë e materialeve të zbuluara, rezultuan të ndryshme. A.Degrand i ndodhur para një varreze misterioze, siç e quajti ai, arriti në përfundimin se në Koman kemi të bëjmë me një “emigracion të pellazgëve” (Degrand,A. 1901, 254-266). Reinak i quan “campus sacra” të vendosur në një zonë malore, duke datuar varrezën në vitet 300-500 të e.sonë (Reinach,S. 1901,662-670). Studiuesit që u mbështetën në praninë e objekteve të kulturës romake provinciale, një pjesë të inventarit të kulturës së Komanit, e përcaktuan si të antikitetit të vonë, kurse pjesën tjetër, e vendosën në një kohe të mëvonshme (L.Ugolini). Shtimi i gjetjeve të kulturës së Komanit dhe një shqyrtim më i imët i tyre, i çoi disa studiues në datimin e saj në shek. VII-VIII (Bulle.H. 1934,213-240; Vinski, Z. 1952,29-52 etj.). Një përpjekjet për përcaktimin e shtrirjes kohore të kulturës së Komanit ka bërë H.Ceka, sipas të cilit varret e hershme mesjetare të Komanit i takojnë shek. VII-IX të e.sonë (Ceka,H.1949,89-93).
Pas një analize të hollësishme që u bën objekteve përfaqësuese të kulturës së Komanit, prof. Skënder Anamali arrin në përfundimin se koha e lulëzimit të kulturës arbërore të Komanit ka qenë kryesisht gjatë shek. VII-VIII. Duke patur parasysh disa objekte të veçanta, ai mendon se fillimet e kësaj kulture duhet t’i takojnë fundit të mijëvjeçarit të parë p.e.sonë. Gjithashtu S.Anamali nuk përjashton edhe veçantitë lokale krahinore, të cilat duhen patur parasysh, si edhe ndryshimet kronologjike që vihen re midis varrezave kryesore (Koman, Krujë e Lezhë). Kështu varreza e Lezhës ka disa objekte bizantine që ndihmojnë për të bërë një datim më të ngushtë, fundi i shek.VI. Por edhe në këtë varrezë ka objekte që janë tipike edhe për varrezën e Komanit e që datohen mjaft mirë në shek. VII e VIII. Këto arsye kanë bërë që S.Anamali të pranojë për kulturën e Komanit një kohë relativisht më të gjatë, fundi i shek. VI dhe zhvillimin e lulëzimin e saj në shek. VII e VIII (Anamali,S. 1965, 105-117; 1965, 468-475; 1967, 29-40; 1969, 11-40; 1969, 185-201; 1969, 155-169; 1973, 121-140; 1976, 23-40).
Përsa i takon shtrirjes fundore të kulturës së Komanit, kanë marrë vlera të veçanta të dhënat e përfituara nga gërmimet e fundit në varrezën e Prosekut (Mirditë), të cilat kanë dhënë si kufi, për grupin e parë të gjetjeve të kësaj varreze, fundin e shek. IX, ndonëse në këtë varrezë është zbuluar edhe një grup tjetër varresh që i takon periudhës së shek. IX-XI (Doda,N. 1989,1, 161-162). Një gjendje e njëjtë paraqitet edhe në varrezën mesjetare të Piskovës ku veçohen dy etapa: varre të shek.VII-VIII dhe varre të një etape të mëvonshme, shek. IX-XI (Bodinaku,N. 1983,1,242). Të dhënat nga varreza e Piskovës dhe e Prosekut për datimin e një grup varresh deri në shek. XI vijnë në mbështetje të mendimit të H.Cekës, të shprehur qysh në fillim të viteve 50të të shek. XX (Ceka,H. 1949,89-93).
Nga sa parashtruam për datimin e kulturës së Komanit, ka rëndësi përfundimi që është arritur se kultura e hershme arbërore shtrihet deri në shek. XI të e.sonë.
_______
Nga: Artur Kopani publikuar fb.pukë.albania
Publikon: Forumi Pukjan

No comments:

Post a Comment