PUKA NË DY FRONTE LUFTE KUNDËR PUSHTUESVE SERBË
1912 - 1913
Foronti 1: VASPAS – PISTË – FLET – MICOJ – HADROJ (Pukë)
Foronti 2:Mbi 400 luftëtarë pukas në ndihmë të Shkodrës së rrethuar
- PRITA E VASPASIT, 10 nëntor 1912, me rënien dëshmor Ismail Arifin, Neza;
- PRITA E PISTËS, 11 nëntor, me dëshmor Halil Mustafën;
- PRITA E FLETIT, Fleti me Rrugmadhe, me dëshmor Osman Hoxhën;
- TRE SULMET serbe të regjimentit “DRINA” , 12-13 nëntor, nuk e thyen dot FLETIN;
- “ SERBI ASHT STRUK RRUGSH E NUK DEL SAJ TUTSH.” ( i frikësuar );
KUJTESA HISTORIKE, BURIMI KRYESOR PER LUFTEN ME PUSHTUESIT SERBË
Në Goskë e Pistë na treguan në veçanti se si e kishte mësuar Halil Mustafa përdorimin e topit. Më 1909 Halili ishte mobilizuar jeniçer, ku ishte caktuar topçi në frontin grek. Kur u kthye në Pistë më 1912 u përfshi në përgatitjet për ta pritë me luftë ushtrinë pushtuese serbe.
Në historinë e Shqipërisë as që bëhet fjalë për atë rezistencë heroike kundër pushtuesve serbë nëpër “Luginën e Drinit” Kukës-Pukë apo Vaspas-Pukë, veç atyre pak rreshtave ku tregohet flesh se
“ Brenda disa ditëve armatat serbe pushtuan Prishtinën, Prizrenin dhe bashkë me forcat malazeze Gjakovën. Prej këtej ato kaluan nëpër luginën e Drinit, pushtuan Lumën, Mirditën e Matin dhe dolën në Lezhë. Një pjesë e tyre iu drejtuan Durrësit. Kurse kolona të tjera u nisën drejt veriut dhe së bashku me forcat malazeze, që kishin pushtuar Shëngjinin, plotësuan rrethimin e Shkodrës.”
As këtu, as në vazhdim nuk përmendet fare Puka, që kishte shtrirjen kryesore luginës së Drinit: VJERDHË ( pak km më në veri të Mjedës, Zadrimë) deri te URA VEZIRIT ( fare afër Kukësit). Kjo “ pasaktësi “ e këtyre historianëve, autorë të këtyre botimeve ( Tiranë, 1985, f. 493 si edhe Tiranë, 2002, f. 507 ) le për të dyshuar për qëndrimin e tyre në studimet historike, sepse Puka ka pasë gjithmonë rëndësi në lidhjet Shkodër – Kosovë, ku udhët e tyre kryesore kalonin nëpër Pukë, për më tepër deri nga fundi i viteve 1960 dhe pjesërisht derisa u ndërtua “ Autostrada e Kombit”. Ky qëndrim besoj të trajtohet në një shkrim tjetër. Rëndësi ka fakti se sot kemi burime të mjaftueshme për ta pasqyruar rezistencën e pandërprerë PESË MUJORE të malësorëve pukas kundër pushtuesve shovinistë serbë, jo vetëm nëntor 1912-prill 1913, por në vazhdim edhe më 1913 dhe 1915.
Më 1969, në “kuadrin e 25-vjetorit të çlirimit” u dha porosi nga Qendra që të shkruheshin historikët e fshatrave dhe të rretheve. Kjo detyrë nëpër rrethe iu caktua seksionit të arsimit pranë komitetit ekzekutiv , sepse këtë detyrë duhej ta kryenin arsimtarët nën “ drejtimin e organizatës-bazë të Partisë”e cila do të kërkonte që, historikët në fjalë, do të përshkoheshin nga “boshti ideologjik i Partisë”. Por, kryesorja ishte fakti se gjatë kësaj fushate shumë arsimtarë dhanë ndihmesën e tyre intelektuale për pasqyrimin e rolit të shumë personaliteteve vendorë, që udhëhoqën qindra e mijëra malësorë në ngjarjet kryesore historike, që prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e deri në LANÇL.
Në këtë aksion u caktova edhe unë, si studiuesi kryesor mes arsimtarëve të Pukës. Me që kisha “probleme biografie”, sepse kam pasë dajen, Abdullah Salihin, të dënuar politik, 1944-1967, më caktuan bashkëpunëtorë drejtues kuadro partiakë. Shfrytëzuam vetëm për një muaj AQSH Tiranë, i cili ende nuk ishte i sistemuar, por vetëm i ndarë simbas prefekturave. Sigurisht, ne të Pukës shfletësonim dosjet e Prefekturës së Shkodrës. Pas një muaji na thanë që të fillonim për hartimin e historikut të rrethit. Unë kërkova që të dilnim nëpër fshatra për të plotësuar burimet arkivore tepër të varfëra.
Më në fund më paisën me një autorizim dhe fillova vetëm takimet nëpër fshatra sado të largëta e në vise të vështira, ku shumicën e këtyre fshatrave i kam kaluar më këmbë, se shumica e tyre aso kohe, 1969, ishin të palidhura me udhë automobilistike. Ajo që pati rëndësi të madhe për mua si eksplorues e studiues ishte fakti se m’ u dha mundësia që të njihesha direkt edhe me pjesëmarrës në Kryengritjen e Përgjithshme të 1912-ës dhe të luftës kundër pushtuesve serbë e malazezë, jo vetëm në Pukë, por edhe në Dukagjin, Tropojë, Lumë, Kosovë dhe sidomos në mbrojtje të Shkodrës së rrethuar më 1912-1913, ku shkuan qindra malësorë vullnetarë pukas në ndihmë të Shkodrës.
PRITA E VASPASIT DHE PËRGATITJA E TOPIT PREJ HALIL MUSTAFËS NË PISTË
(Vaspasi dhe Pista me Mëgullë etj. janë fshatra të Malziut, sot me Kukës )
Për të mbledhë kujtimet për luftimet në Vaspas dhe në Pistë dhe për topin prej druri të dardhës, që u përdor kundër forcave pushtuese serbe në nëntor 1912, filluam në Goskë dhe Pistë, më 3 qershor 1969, ku më shoqëroi mësuesi i Shkollës së Fletit, Xhemal Uka, i cili i njifte rrugët për Goskë, lagje e veçuar e fshatit Pistë. Po më njohu edhe me fshatarët dhe më përcolli për në Gdheshtë prej ku dolëm në rrugën kryesore automobilistike, ku hipëm në makinë për në Pukë, kurse Xhemal Uka për në Flet. ( Vitët e fundit, emigrant në SHBA).
Në Goskë e Pistë takuam Sadri Velinë, Ali Hasanin, Selim Haxhinë, Ramadan Hoxhën dhe Rrahman Halil Mustafën. Kur arritëm te Rrahman Mustafa, ishim shumë të lodhur. Kishim ecë përmes vapës rrugëve me zbritje e ngjitje të vështira. Edhe pse kishte kaluar dreka, na priti bujarisht dhe na kthej një drekë të shpejtë. E shoqja ishte bi e Mehajve të Pukës, Beqë Brahimit. Na priti si për vëlla. U gëzuan që u shkuam në shtëpi, se ishin si të braktisur për “ shkaqe biografie”, se një i afërt i tyre ishte i arratisur politik në Perëndim.
Organizatorët e rezistencës antiserbe, kishin përgatitë istikamet (pozicionet) për gjatë kurrizit shkëmbor në perëndim të fshatit Pistë. I shoqëruar prej Rrahman Halil Mustafës, i biri i Halil Mustafë Topçiut dhe prej mësuesit Xhemal Uka shkova dhe i pashë vend për vend. U mallëngjeva kur shihja ato shenja sikur flisnin me gojët e tyre për qëndresën kundër pushtuesve serbë. Prej aty shikoheshin mjaft mirë hyrjet prej luginës së Drinit poshtë deri përgjatë luginës së Fletit. Pashë edhe vendin ku kishin pasë vendos topin. Gjë shumë interesante: edhe pas 57 vjetësh ai pozicion ende ishte ruajtë mirë. Po kështu ishin përgjysëm edhe muret e istikameve me gurë të mëdhenj. Malësorët nuk i trazonin si “ amanet” i luftëtarëve të rënë dëshmorë.
Halil Mustafa, ish-jeniçeri topçi, mori përsipër përgatitjen e një topi prej druri dardhe. Druri i dardhës qenka i fortë edhe prej zjarrit të barutit dhe predhave përmes grykës së tij. Si prenë një dardhë të hershme fort dhe i dhanë formën e topit, kërkuan ndihmën e Prend Kovaçit, kovaçit të Sakatit që ta shtrëngonte “TOPIN” me rrathë të fortë hekuri. Prendi ishte kovaç i zoti. Nëntë vetë e morën në krahë për gjashtë orë udhë shkuarje-kthim. Prendi ua punoi me kujdes derisa i siguroi që, trupi i dardhës, ishte kthyer në një grykë të vertetë ” topi “. Gjyle dhe barut i siguroi Bajram Jashari i Mgullës, fqinjë i Pistës. Ai kishte lidhje me Lumë dhe Mat, ku kishte siguruar nja tridhjetë gjyle dhe barut boll. Si u bë çdo gjë gati, atëhere, ditë e natë bënin roje pranë topit. Të gjitha tregonin se lufta kundër ushtrisë pushtuese ishte e organizuar dhe me frymë kombëtare
Lajmet prej Kosove ishin tepër tronditëse: atje serbët vrisnin çdo ditë me dhjetra kosovarë, qoftë edhe gra e fëmijë, digjnin shtëpi, grabitnin e perdhunonin. Për të gjitha këto nëpër fshatrat e Malziut qarkullonte porosia e BAJRAM CURRIT dhe thirrja e Shkodrës“ ...po na hyni serbi mbrendë, zor se e nxjerrim ma jashtë, prandaj kush të jetë burrë ta rrokin pushkën dhe t’ia ndalin të mësymen!” Kështu pra, lufta antiserbe kishte kudo karakter të përgjithshem atdhetar.
Ja si i kujtonte Rrahman Halili, i vitlindjes 1914, tregimet e pleqve që kishin përjetuar atë luftë me pushtuesit serbë:
“ ... tonët u lidhën me Besë që të luftojnë me serbët deri në vdekje prej Vaspasi dhe përgjatë Rrugmadhes, prej Truni deri në Flet. Vaspasi me ZMAJL (Ismail) ARIFIN e kishin da menden : veç me pushkë me i dalë serbit para. Ishin lidhë edhe me zonën e Fletit (Trun-Flet). S’ flente kush ditë as natë, veçse gjithë angth ishin në pritje të ardhjes së ushtrisë serbe. Marak ishin për punë të armëve. Pak kush kishte armë të kohës.
Kur kaloi ushtria serbe Qafprushin, e morëm vesh këtu. Po ishin pak në fillim, si punë patrolle (zbuluesish). Ecshin udhës si udhtarë: pa u ndalë, pa prekë asgja dhe pa trazuar njeri. Po ama burrat e Vaspasit dhe Rrugmadhes ishin gati në armë shtërngue dhe vetëm pritej që t’ia bante diku “ Bam”. Dhe kjo nuk vonoi, se mbas asaj patrolle nuk zgjati dhe ja mbrrini ushtria. Ishte ushtri e jo mahi. Nuk kishte të sosun vargu i tyne. Të armatosun ishin mirë. Edhe topa kishin me vete. Ah sikur të kishin edhe tanë asi armësh! S’kishte me pasë ushtri t’i shkelte malet.
E paskan pasë marrë vesht se në Vaspas e Pistë ia kishin ba benë, se do ta pritshin me pushkë. Një yrysh banë dhe ranë në Vaspas. Aty u kishin ba pritë.Po nam( qendresë burrash) la ZMAJL ARIFI. Hyni në istikam (pozicion) dhe vendosi të luftonte derisa të vdiste në luftë me serbë. Shokët që po tërhiqeshin, kërkuan ta merrnin me vete. Po Zmajl Arifi nuk pranoi, se ishte plagosë randë,veç u la amanet të kujdeseshin per vete e popullin. Iu sulën serbët prej të gjitha anëve. Po Zmajli ishte trim dhe shejtar i zoti. I faroi sa ju afruan. Kur ja kanë numëruar, thoshin se ishin 22 serbë të vramë prej tij. ”
Avdi Selman Arifi tregon për Luftën e Vaspasit: “ Baba jem, Selmani, i vëllai i Zmajl Arifit, ishte në luftë krahas të vëllait me 20 burra, se të tjerët i kishin shkue në ndihmë SHKODRES së rrethueme prej serbëve e malazezëve. Serbët që kishin rretue Zmajlin, na thoshte baba, komandoheshin prej nji oficeri perbindsh. Ishte i madh dhe truplidhun. 18 pushkë i kanë ra e nuk u rrxote. Kur e kanë marrë 18 plumba, ka ra si lis per tokë. Zmajli luftoi në llogore derisa e murën disa plumba. Ka edhe kajken, nji kajk e fortë që erdh prej Kabashi të Pukës:
“Djalë ish kanë Zmajl Arifi!
Zmajl ish kanë djalë...
Ma ka çue SHKODRA nji fjalë.
Nji fjalë SHKODRA ma ka thanë:
“Teslim Serbit mos me ju bamë!”
... Zmajl Arifi n’ istikam.
N’ istikam ai kur ka hi
Ballë per ballë me ket Serbi’
E mur pushka bri më bri!
Bri më bri tuj luftue.
Nji fjalë nanes me m’ ja çue: ...
Tri herë veten e kam pague,
Njizet serb i kan palue!
Njizet ser e nji kumandar!
_______
Autor: Xhemal Meçi (Medalje e arte, "Mjeshter i madh i punes",Pergjegjes i Muzeut Historik Puke)
Pergatiti: Gezim Kopani
Publikon: Forumi Pukjan
Ilustrimi fotografik: Xhemal Meçi
Shenim: Ky artikull eshte botuar edhe ne gazeta te ndryshme.
No comments:
Post a Comment