Në vitin 1898 u ra në gjurmë të një varreze të madhe, pranë Kalasë së Dalmaces, në fshatin Koman të Pukës. Në vazhdim u zbulua një numër i madh varrezash të ngjashme, rreth 30, të përhapura kryesisht në Shqipërinë e Veriut e në atë të Mesme. Shpërndarja gjeografike, tipologjia, inventari dhe kronologjia e njëjtë e këtyre varrezave i ka shtyrë studiuesit të identifikojnë në to kulturën e hershme mesjetare shqiptare, të quajtur "Kultura e Komanit" (shek. VI-VIII). Në vitet e fundit zbulime të "Kulturës së Komanit" janë bërë edhe në Shqipërinë e Jugut si dhe përtej kufijve shtetërorë, në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni e në Greqi.
"Kultura e Komanit" është kultura e një populli që në shek. VI-VIII ishte në kapërcyell të dy epokave, nga ajo e vonë antike, në periudhën e hershme mesjetare. Tipologjia e varreve, orientimi i tyre, inventari i armëve, i veglave të punës dhe i stolive, me praninë e elementëve të shumtë të simbolikës ilire, e lidhin "Kulturën e Komanit" me të kaluarën ilire të këtyre trojeve dhe me banorët e lashtë të tyre, ilirët.
Por, përveç elementëve të vazhdimësisë ilire, "Kultura e Komanit" përmban edhe elementë të rinj, që lidhen me periudhën e hershme bizantine. Durrësi, baza më e rëndësishme e Perandorisë Bizantine në perëndim, ishte qendra nga ku në thellësi të trevave shqiptare mbërrinin importet dhe, në përgjithësi, ndikimet bizantine. Këto të fundit shquhen qartë në disa grupe stolish, si tokëza rripi, brosha të praruara, vathë etj. Por, mbi të gjitha, ndikimi bizantin materializohet në elementë të artit, pra dhe të besimit kristian. Të tillë janë vathët me motive palloi, skena të Eukarestisë ose unaza me formula e lutje të krishtera.
KISHA E VJETER NE SHURDHAH TE KOMANIT
Ndërkohë që në shumë nga stolitë e gjetura në varrezat e "Kulturës së Komanit" dallohet qartë mbijetesa e motiveve pagane (p.sh. disku diellor), prania edhe e motiveve kristiane dëshmon se bartësit e "Kulturës së Komanit" kishin përqafuar, ose ishin duke përqafuar, besimin e krishterë. Në këtë kohë, pra në shek. VI-VIII, krishterimi, i përhapur nga qendrat urbane, si Durrësi, Shkodra, Ohri etj., kishte mundur të depërtonte edhe në zonat e brendshme rurale, ku dëshmohet "Kultura e Komanit".
"Kultura e Komanit", qoftë në trashëgiminë e saj të kulturës së lashtë ilire, qoftë me elementet e reja të periudhës së hershme bizantine e, në fund, me shenjat e qarta të besimit të krishterë, është specifike për hapësirën ku dëshmohen shqiptarët në mesjetë. Ajo i dallon në mënyrë të qartë, bartësit e saj, shqiptarët, nga fqinjët e tyre të rinj e të vjetër, sllavët e grekët.
Kultura e Komanit në Delmace -arkeologji e legjenda
Citim:
Në Delmace
Për më se një shekull, varrezat e Delmaces kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve vendas e të huaj. Gjetjet në këtë varrezë u bënë të njohura në kryeqytetet e Europës Perëndimore me emrin "Kultura e Komanit". Meqë Delmace i përket fshatit Koman, 4 km në lindje mbi një lartësi prej 568 dhe me një diametër afro 500 x 500 m.
Emri Delmace / Delmace, kështjella me kishën e shën Kollit janë parë kalimthi, pa u përfshirë në kërkime të mëtejshme arkeologjike. Një zbulim shumë i rëndësishëm për historinë lihet përgjysmë, mënjanohet nga interesat arkeologjike si është mënjanuar këto pesë dekada Veriu ynë.
Delmace me rrethinën është aq tërheqëse në enigmën e vet saqë edhe pse kam shkuar atje pesë herë (1956,1960,1972,1986), prapë e shoh të nevojshme të bëj hulumtime aty. Më 1956 u mahnita me bukurinë e atyre lartësive me luginën e bukur të Drinit poshtë 850 m, saqë premtova të mos i harroja këto vende dhe të shkruaja për to. Islam Beqiri, një prej pjesëtarëve të atij grupi, i dashuruar pas vendlindjes ma la amanet që ta mbaj premtimin. Ai ka vdekur me kohë po ka lënë pas një familje të nderuar. Amaneti i tij sikur ma kujton premtimin. Dhe unë jam përpjekur të hulumtoj kryesisht në fushën e toponimeve të Delmaces, ku kam dalluar:
1.Vorret e Delmaces, mbi një rrafshinë në jug të kështjellës;
2.Kodër Vorrezë, Vorrezë kodra mbi shpinën e saj shtrihet varreza.
3.Qafa e Delmaces, mes Kodër Vorrezë e Majës së Cungut të shkëmbit të kalasë.
4.Kalaja e Delmaces, 4 km nga Komani, 12 km nga Puka.
5.Kroni i Delmaces në juglindje të Kodër Vorrez, humbur mes gurësh;
6.Masdelmace ana perëndimore e shpatit të Koder Vorrezë;
7.Gryka e Delmaces, në veriperëndim të Masdelmaces.
Shënkolli
Këtu mungon vendbanimi të cilit i përkasin varret e Delmaces.
Terreni tregon se vendbanimi më i afërt nga varreza e kështjella është lagje Shënkoll afro 1 km në jl. gjenden gërmadhat e kishës së shën Kollit, kishë peshkopale për të cilën dihet fare pak.
Në perëndim të kësaj kishe gjenden topolegjendat: Shehri i Kaurrit, një lëndinë në shembje; Mejhana e Kaurrit, një si truall afër asaj lëndine; Kroni i Mejhanës së Kaurrit, një burim që ka filluar të shterrojë. Në popull besohet se koha e kaurrit i përket periudhës së parakrishtërimit.
Për këtë kishë dhe rëndësinë e saj si edhe të vendit përreth kemi dy të dhëna të fillimshekullit XVII me shumë interes të cilat na i japin relacionet e Gjergj Bardhit, arqiipeshkvi i Tivarit më 1634 dhe të Fran Bardhit, ipeshkvi i Sapës (Nënshat) më 1637. Sipas tyre, famullia e shën Kollit për tre fshatratoman, Bytyç (Mtyci i Buzhales) re Qerreti i Vogël është në vendin e quejtun Delmace (Delmace). Pra deri nga mesi i shek XVII e ndoshta edhe më vonë, këto fshatra bashkë me lagjen Shënkollë shtriheshin mbi një hapësirë të gjërë gjeografike me emrin Delmace. Në Shënkoll u tërheqin vemendjen "shenjat se përpara kish qenë vend i dalluem ndër të gjitha vendet e atyne maleve" (Gj.Bardhi-Relacioni i vitit 1634, Relacione... Tiranë, 1963,f.459). Mesa kuptohet, këto shenja janë gjurmët e një zhvillimi të hershëm që dalloheshin ndër vendet e tjera të maleve të Pukës, Iballes e Spasit (Malitzi). Me gjithë shkatërrimet e ekspeditave ndëshkuese osmane në këto male, në Shënkoll ende kishte një begati të dukshme ku ishte:"në një vend shumë të mirë ( ku) ka përreth shumë arrë, mollë, qershi e dardhë (ku) ka kroje të freskëta e shumë të shëndetshme. (F.Bardhi, Relacioni i vitit 1637.Relacione...II. Tiranë, 1965,f.75)
Kultura e Komanit
Duke qenë Delmace një vend i tillë malor në rrethana të favorshme historike në shek VI-VIII u bë një qendër ekonomike e lulëzuar me një zejtari vendase shumë të zhvilluar deri në përmasat e një "kulture qytetare". (H.Spahiu-Gjetje...Delmaces. Iliria I/1971,f.260) ku janë të dukshme elementet e traditës antike që "dëshmojnë për lidhje gjenetike të padyshimtë midis ilirëve të lashtë dhe arbërve mesjetarë që përdorën këtë varrezë. (H.spahiu të traditës antike... Iliria /1986,f.268.
Grabitjet si edhe kërkimet e rregullta arkeologjike janë zbuluar në këtë varrezë: rrathë që simbolizojnë diskun e diellit (kultin e tij) varëse me përdorim në veshje ilire, sumbulla gjysmësferike, rruaza bikonike, vathë, togëza rripi që i gjejmë në veshjet pukore të grave të fillimshekullit XX, unaza bronzi e ari etj. Grabitjet që iu bënë kësaj varreze që kur i hapi në mënyrë të parregullt konsulli francez në Shkodër A.Degran më 1899 i cili rrëmbeu pa pikë përgjegjësie mbi njëqind objekte me vlerë arkeologjike që i shpërndau muzeve të Parisit. Pastaj pasuan gërmime të tjera që shpërndanë gjetjet arkeologjike në vazhdim nuk përfshinë: kështjellën kishën e Shën Kollit me kishat, e Shën Teodorit në kështjellë, të Shën Gjergjit në Vl. të kështjellës, të shën Mëhillit në jl, të Shën Gjonit afër kodër vorrez, të Shën Ndreut në lagjen Dobra.
Ndërprerja e zbulimeve arkoelogjike në vitet 80- është një faj i pafalshëm shtetëror. kisha e shën kollit me kishat e tjera në afërsi me ndërtimet në kështjellë të Mesjetës së Mesme flasin për një vazhdimësi ekonomike, shpirtërore e kulturore në këtë zonë e më gjërë deri nga fillimi i Mesjetës së vonë kur pushtuesit osmanë e ndërprenë përfundimisht këtë zhvillim.
Vazhdimësia
Për emrin Dalmatia /Dalmace/Delmace Hani është i parë qi e krahason me shqipen dele, delme delmer" bari delesh". Emri Delmace e gjejmë kryesisht në shkrime, kurse në toponime dhe persona ku nuk ka ndikuar gjuha e shkruar, shqiptohet Delmace. Këtë fakt e ka vënë re prof. I.Zamputi si edhe prof. K.Luka studiues i mirënjohur i toponimisë shqiptare të shek XVI-XVII i cili thekson "Trajtën delme na e jep edhe emri tjetër i vendit Mbasdelmace" (K.Luka-Topografia e Shek XVI-XVII...Etnografia Shqiptare zz.1981,f.261) Trajta Delme trajtohet edhe nga prof.dr.s.Mancaku. Dele/delme janë shumëse të singularizuar të formave të moçme dal/dalm ( S. Mancaku- Rreth njësisë dhe shtrirjes së stnosit ilir në vështrimin gjuhësor. Iliria I/1986,f.231). Kështu emri Delmace bashkë me gjetjet arkeologjike në varrezë dëshmojnë vazhdimësinë iliro -arbërore në Malet e Dukagjinit (Pukë-Iballe- Spas). Kjo vazhdimësi duket edhe në tiparet antropologjike të arbërve të shek. VI-VIII te banorët e sotëm të Pukës në masën mbi 70 për qind ( A.Dhima, kumtesë e mbajtur në Pukë më 1985).
Vazhdimësia në legjenda
Para shkatërrimit të Kalasë së Delmaces prej ushtrive të knjazit serb, thuhet se sundimtari i kështjellës paska fshehur thesarin nën rrënjët e një lisi të veçuar. Thesari i artë pak nga pak u dha gjethevë një ngjyrë si të artë, duke u zbuluar kështu fshehtësia e thesarit të kështjellës. Edhe lisi mori emrin Lisi i Pares. Po lisi nuk u trazua se sundimtari i kështjellës ia kishte lënë amanet tokës e zanave të Shkamit të Zanave.
Zanat dihet se janë të pavdekshme dhe shumë të fuqishme. Zanat nuk duhen trazuar, se ndryshe bëhen shumë të rrezikshme për njeriun. Prandaj askush nuk gërmonte te rrënjët e Lisit të Pares. Kush e kishte provuar të gërmonte kishte dëgjuar oshtimën e malit kah kalonin zanat që vinin drejt Lisit të Pares për me mbrojtë thesarin. Edhe toka fillonte të lëkundej si të binte një tërmet i fortë. Lisi i Pares është pa aty deri në kohën e Zogut ( Mbretit Zog I)
Po vendi i zanave ku ishte? Legjenda vazhdon: "Zanat rrinë te Guri i Bardhë", 4 km prej kështjellës së Delmacës. Guri i Bardhë nga ana e lindjes është i arritshëm edhe pse rreth 1200 m i lartë prej ku shihet Delmace, Lisi i Pares, Maja Cungut, Puka me Qafë-Ajtyrë,Krovë, Mece, Klos, Bushat e Midhë me Qafë Tmugu e më tej. Poshtë hapet lugina e bukur e Drinit me Shllakun e Qerretin e Vilës etj. Guri i Bardhë nga ana e Drinit formon një faqe shkëmbore që njihet me emrin Skami i Zanave. Në brendësi të këtij shkëmbi është Mullini i Zanave ku zanat bluajnë grurin a melin për bukë. Për te Mullini i Zanave shkohet nëpër një shpellë të ngushtë me emrin po Shpella e Zanave. Vitet e fundit ka pasur të rinj të guximshëm që kanë hyrë deri te gurgullima e ujit që buron përmes Gurit të Bardhë. Uji del në fund të Shkambit të Zanave duke formuar një hurdhë të vogël, rrethuar nga perëndimi prej Mrizit të Zanave. Aty zanat freskohen dhe i gëzohen jetes me këngë e valle përballë luginës mahnitëse të Drinit. Mjerë kush i zemëron zanat. Ato nuk falin. Ngacmuesit i shitojnë e i ngurosin. Po kësaj ane nuk dihet ndonjë rast. Aty ku jetojnë zanat njerëzimi është më i fortë, më i shëndetshëm e më gazmor e mikpritës.
Siç shihet, bukuritë e vendit traditat me pasuritë folklorike e bëjnë këtë vend malor me interes turistik, sportiv e eksplorues, siç bëjnë rinia shkollore, të rinj e të reja kosovare më 1999 dhe veprimtari sportive si ajo e tetorit 2002.
________
Pergatiti: Artur Kopani
Marrë nga Gazeta55, publikuar ne: fbPukë.Albania/
No comments:
Post a Comment