Thursday, January 24, 2013

Puka ne dy fronte lufte kunder pushtuesve serbe (II)


Nga: Prof.Xhemal Meçi (Mjeshter i Madh)

Siç shkruajnë prof. B. Xhafa dhe  prof. Th. Murzaku :” 9200 ushtarë serbë të divizionit “Drina” më 10 nëntor 1912 u nis prej Gjakove: Qafprush, Vaspas,Qafmali, Pukë...dhe më 16 nëntor 1912  arritën  në Mjedë. Prof. dr. Bajram XhafaHISTORIA E SHQIPËRISË I, Shkodër, 2009, f. 22). Edhe Prof. dr. Thoma Murzaku, në botimin e tij: POLITIKA E SERBISË KUNDREJT SHQIPËRISË  GJATË  LUFTËS  BALLKANIKE  1912-1913, Tiranë, 1987, f.149. Nënvizohet fakti se “ Repartet më të zgjedhura të divizionit “Drinës” që u nisën nga Gjakova më 10 nëntor 1912 në drejtim të Qafës së Prushit, Vau i Spasit, për të vazhduar drejt Qafës së Malit. Një oficer serb, “ nga raporti “ Mbi operacionet e ushtrisë serbe në vitet 1912-1913”) nënvizon faktin se “ NË ÇDO HAP U NDESHËM ME ARNAUTËT”. 

           Për hakmarrje forcat shoviniste serbe u sulën me egërsi e barbarizëm kundër Vaspasit, të cilin  si e grabitën e dogjën shtëpi për shtëpi qoftë prej urrejtjes që kishin për humbjet që nuk i pritnin prej malësorësh, qoftë për të ushtruar  terror në popull me shpresë se do të frikësoheshin dhe do t,i nënshtroheshin prandaj                                                                                                                        shqiptarët i përmendnin, jo pa qëllim, me emërtimin përbuzës: “Arnaut”. Por  shqiptarët, edhe në këto male të Pukës, treguan se mbroheshin me heroizëm    “ Në Çdo Hap” në trojet e veta shqiptare dhe vetëm si shqiptar. 
          I brumosur me këtë ide luftoi me heroizem dhe ra dëshmor i Atdheut edhe Ismail Arifi i Vaspasit, i cli dekorohet më 1993 nga Presidenti i Republikës, Prof. dr. Sali Berisha, me Urdhrin për veprimtari patriotike si luftëtar i shquar.( Dekreti nr. 547, dt. 03.06.1993, botuar në  “ Shoqata Atdhetare Kosova 1991-2000, f. 46).

                 PISTA ME TOPIN E DARDHËS DERI NË KUFIJTË E LEGJENDES    

      Pista edhe pse dëgjoi krismat e papushuara të pushkëve  dhe shihte tymin dhe flakët që çanin retë e ngarkuara me shi atë ditë të 10 nëntorit 1912, nuk u tërhoqën prej vendimit të tyre që të luftonin burrërisht, pavarësisht se i priste fati i Vaspasit . Kryesorja për ta ishte që të vepronin simbas traditës shqiptare: “ Mikun prite me bukë, hasmin me pushkë!” Po kësaj here  përveç pushkëve kishin edhe një “ TOP.”   
        Pleq, gra e fëmijë me bagëtitë, edhe pse ftohët dhe me shi, i kishin larguar maleve. Burrat kishin zënë pozicionet, ndërsa disa të rinj shumë entuziastë ishin përreth Halil Mustafës që donin të shihnin mrekullin e topit mbi shovinistët serbë.
       Halili gjithë kujdes, por i sigurtë në detyrën e vet, priste rastin që të shkrepte topin. Ushtria shoviniste serbe po ngjitej shpatinës së Pistës e shpërndarë në formacion luftimi. “ Si u afruan në Bokat e Rrustem Metës, Lakit Kaprres,- vazhdon Rrahmani tregimin për topin
-Halili e tërhoqi litarin dhe bani shkrepjen e topit. Topi paska krisë aq shumë, sa ndoshta ma shumë se nji top i vërtetë. Tonëve iu bahesh zemra mal. Ushtria u shtangë. Mbas pak u nis përsëri, por ma ngadalë. Topi u ba gati dhe u shpraz edhe nji herë. Ushtria ndaloi dhe po kërkonte copa predhe për me pa se ç’marke ishte topi që po perdorshin malësorët kundër tyne.  Njerzit ishin në qejf të madh dhe u lshuen kush e kush të ndihmonte në mbushjen e topit. Kështu,  topi u mbush tej mases. Prap ushtria serbe u nis për sulmë. Edhe topi u shpraz për të tretën herë sa ushtoi bregu i Drinit me malet për rreth.
      Ushtria serbe  filloi tërheqjen. Mbas pak çoi fjalë kush të donë të kthehet në katund se nuk i tandon kush. Për siguri të dergojnë të parin e tyne  për marrëveshje e me lidhë Besë. Sadik Rama besoi vertetë në fjalën e tyne dhe u nis. Shkoi në Koderpetkaj, se atje e kishin komanden.Gjithë urrejtjen kundër Pistës me top e shprehën kundër Sadikut. Thoshin se e rjepen për së gjalli dhe së fundi e therën me thika.Mbas kësaj gjuejten Pistën me topa. Disa shpi u shemben prej topave. Mbas topave u sul ushtria, po Pista i priti me pushkë prej istikameve. Qendruen trimnisht, po nuk i dilesh gjithë asaj ushtrie, sado që la mjaft të vramë. Kurse prej nesh mbetën 6 të vramë. Tanët u tërhoqën në male sado që ishte ftohtë e me shi. Pista u dogj për shpi. Mbas Pistës ushtria u fut në Gdheshtë e Mgullë ku theri 72 vetë: gra, pleq e fëmijë. Therën edhe  shtatëzana!
      Halili u mërzit shumë për topin që u ça me qitjen e tretë, por thojshin se atë top e morën ushtarët serbë  bashkë me pushkën e Zmail Arifit për në Beograd për kujtim të asaj lufte.                           Mbas  luftës së Pistës u nisë për në Shkodër, ku luftoi deri sa u plagos randë. Prej asaj plage vdiq në shpi, nja nji vjet mbas Luftës së Shkodrës, 1914, në moshën 30-vjeçare (1884-1914)”. 
     Kështu u mbyll jeta e këtij heroi popullor. Në vitet e diktaturës u la në heshtje, kurse meritat për topin ia kaluan të gjitha Prend Kovaçit: edhe këngën, edhe lavdinë. Ali Hasani një i afërt i tij, kishte marak që t’i njiheshin meritat, prandaj po përgatitë edhe historikun e këtij topi dhe qëndresën e Malziut kundër ushtrisë   serbe  më 1912. Më 27 nëntor boton për Halilin  një shkrim në “Republika” f. 16.
      Denisa Meçi, nxënëse e kl. X të shkollës së mesme “Sabah Sinani” Pukë, u frymëzua dhe përgatiti  këtë skicë topi, që po e dërgojmë për botim në gazetën tuaj.
    Më 1993 Presidenti i Republikës, prof. dr. Sali Berisha, e dekoron Halil Mustafën me  Urdhrin për veprimtari patriotike si luftëtar i shquar.  ( Dek. 547, dt. 03.06.1993).
    
    FLETI, TERMOPILE TË  PUKËS NË  LUFTË ME PUSHTUESIT SERBË, 
1912-1913 

                            “ Me kto djelem që i ka Fleti,
 S’i ka krajli, s’i ka Mbreti!...        
                          Kanë nisë luften me Serbi, 
Në nji prrue kanë vra njimijë (serbë)!”    

            Para se të shkoja për Goskë, Pistë dhe Gdheshtë, më 2 qershor 1969 shkova në Flet. Takova drejtorin e shkollës 8-vjeçare, Agim Çaushollin, një shkodran i pasionuar pas folklorit dhe traditave, kunati i prof. Jup Kastratit dhe mik i imi. Më priti shoqërisht dhe më priu te Prend Zefi, i shtëpisë së Kolë Nikë Alisë së përmendur në male: në kuvende e këngë. Prendi ishte i vitl.1894, pra 18-vjeçar kur filloi lufta me serbë, të cilën e kishte përjetuar me të gjitha rrethanat.
           Prend Zef Alia ishte burrë i mbajtur mirë, trupmesatar, me qëndrim burrëror e krenar, i qetë, seriozë dhe i sigurtë për sa përgjigjej. Ishte mikpritës e bujar. Megjithse i kishte punëtorët në prashitje të arës dhe fillimisht u zu ngusht, se prashitja është me rëndësi për bujkun. Megjithatë, e mblodhi veten  dhe na tregoi sidomos për Luftën e Fletit dhe na kthej drekën dhe filloi të na tregonte: 
“ Lufta me serbë ka qenë një luftë shumë e vështirë dhe e gjatë. Ajo luftë e shkatërroi fare anën tonë. U banë shumë plaçkitje e rrënime. Por populli, megjithse i vuejtun, pushkën për sy e ka mbajtë me ushtrinë serbe, se ishte një ushtri barbare, fort e eger sa ja kaloi shumë herë ushtrisë turke për shkatrrime e vrasje. Prandaj, kudo e pritën me pushkë. Katoliket u mundue t’i bante per vete. Çoi fjalë me vue kryqin mbi shpija dhe nuk do t’i ngaste kush. Asnji katolik nuk e bani këtë gja. Nuk mund të ndaheshim prej vllezenve tonë.
            Së pari, erdh nji ushtri e vogël, nja 20-30 vetësh, duket si patrollë. Kaluen si udhëtarë pa asnji zollum (dëm). Po burrat e Fletit ishin me pushkë për faqe. Ishin gati me i hek gisht, sa të kërciste kund si Zmajl Arifi me shokët e tij në Vaspas, ku u ba luftë e madhe. Në Pistë banë nji top prej dardhe. Topi pat qitë nja tri herë. Bante krisem të madhe. E pengoi ushtrinë serbe. Thuhej se njoftuen Beligradin se malësorët po i presin me topa. Po të tretën herë topi u ça. Ushtri të mëdha me topa sulmuen Pistën. Si e plaçkitën dhe e dogjën Pistën, sulmuen Gdheshtë e Mgullë ku u  therën 72 vetë:pleq, gra e fëmijë pa kurrfarë mëshire.

          OSMAN HOXHA i Fletit ishte te mullini për blojë. Ushtarët deshtën me i marrë millin. Ky zuni vend  mbas hanit e qiti më to. U vranë nja tre serbë, por edhe Osmani u plagos randë. I thirri Baram Hazirit të binte se e çarti Serbi. Krisi pushka e Baram Hazirit e mbas ti Fleti mbarë me vikamen që vinte prej të gjitha anëve: “Bini serbit, kush asht burrë! Breee! Ushtria serbe u zu ngusht: kah e djathta e ecjes së tyne, ishin fletasit që po bajshin shydet (vrasje  masive) mbi ta; kah e majta ishte përroj i Goskes me ujë të rrëmbyshem breg më breg. Kishte ra shumë shi sa s’kishte burrë me e kalue. Nuk mbahet mend të jenë vra aq shumë ushtarë  serbë asaj here. As prroj i Goskes nuk arriti me i tretë ushtarët e vramë, aq shumë ishin vra. Mbas këtyne humbjeve të mëdha, ushtria serbe u tërhoq dhe kaloi kah Pista, Gdheshtë, Qafshllak, mbas Lejthize e Qafmolla dhe Qafmali,ku vendosen tre taborre dhe patrolla gjithandej. Nëpër Flet kalonin vetëm me Besë. Lypshin Besë herë-herë, se i dishin zakonet tona që edhe hasmit nuk ia kthejshim Besën mbrapsht. Po kishim kujdes se ato ishin të pabesë. Na sulmuen Shengjergjit t’Ri ( 23 prill 1913) edhe në bjeshkë dhe vranë ke gjetën si e kishin djegë Fletin bashkë me krejt  Rrugmadhen.
        Në mbrëmje shkuam te MALUSH SHABANI. Malushi, i vitl.1890, më 1912, 22 vjeç. Kishte marrë pjesë me armë kundër pushtuesve serbë gjatë atye 5 muajve të vështirë, 1912-1913. Na priti bujarisht bashkë me të birin, Selimin. Ende ishin në shtëpinë e vjetër, por të pastër. Kishte një grua të gjallë e punëtore prej  Haxhëve të Buhotit të Kabashit. Për topin e Pistës na porositi që të takonim Rrahman Halilin, se i ati i tij, Halil Mustafa e patë përegatitë dhe shprazë atë top.
        Për Luftën e Fletit tregonte: “ Kur erdhë ushtria e shumtë serbe, luften e nisi ma s’pari Osman Hoxha. Në pushktë e para vrau  nja tre serbë. U plagos randë e lshoi kushtrimin. Krisi pushka për gazep. Serbët s’kishin kah të kalojshin, se Goska ishte ba lumë i rrëmbyshem. Si u vranë me qindra, u ndalën dhe u tërhoqën.  Ra nata (e 12 nëntorit). Si panë se nuk po i ndiqte kush, filluen prap drej Fletit. Po pritat e filluan pushkën prap dhe prap shumë serbë të vramë, megjithse nuk shifej. Vonë u tërhoqën prap. Të nesërmën  u përpoqën që të kalojshin luginës së Fletit deri natën vonë. Na po baheshim ma të fortë se filluen me ardhë prej Mirdite fshehtas se gjoja ishin vendas dhe morën pjesë në luftime për me sigurue pushkë e fishekë. Pushkë e fishekë morëm boll. Ditën e tretë (14 nëntor 1912) kaluan  kah Pista, Qafshllak, Qafmollë dhe ranë  në Qafmali, ku vendosen  shtabin. Prej aty hapshin patrollat me u mbrojtë. Ishim  në pritje se do të na sulmojshin për me u hakmarrë, se as Luma nuk i bani kaq të vramë sa Fleti me rrethinë.
       Ne na ndihmonte Ndue Bardhi. Ky bante sikur u shërbente serbëve, po njoftonte katundin për lëvizjet e ushtrisë serbe. At natë, kah fundi i nandorit, që vendosën të na sulmojshin, e mbajten Ndue Bardhin. Po Ndoja edhe pse e dinte se do të masakrohes prej serbëve, sa dolën të nesërmen  përballë Fletit, thirri me gjithë forcën e zanit: “ O hikni kush t’mundet, se hini serbi!” Plasi pushka m’katund.  Burrat zunë shtigjet sa të largoheshin gra e fëmijë dhe ndonjë bagëti që ishte në katund. Ndojën serbët e therën me thika derisa dha shpirt për gazep. Po edhe asaj dite të mësymen, u vranë shumë serbë; kështu nuk na ndoqën larg, se kishin frikë. U lshuen mbi katund e s’ lanë gja pa djeg e shkatërrue.  Kaluem e hym në Iballe. Prej aty u përhapëm nëpër Berishë, Mertur, Apripë e katunde të tjera të Brigjeve të Drinit deri në Mëzi. Unë me të mijtë dola në Klos, Meçe, Buhot e mbas do kohe në Shkozë. Në Shkozë ndejem nja  gjashtë javë. M’u lut nana të shkojshim e ta shihshim katundin se si ishte ba. Shkuem. Ishte shkrumue gjithçka. Me mzi gjetëm pak kallamoqa dhe i poqem. Me çato i kaluem dy ditë. Vumë re se  patrolla serbe  rrethojshin herë-herë katundin. Natën ndizshin zjarme dhe kalonin naten aty. U tregova shokëve. Nji natë i rrethuem me kujdes. Po ngroheshin, me pushkë në duer. Si u afruam, sa mos me u zbulue, jau lshuem batare pushkësh. I vramë të gjithë.  Morëm armatimin dhe çantat ku kishin ushqim. Atë natë hangrem ngeshem. U knaqa se më dukej sikur po hajsha në shpinë teme. Hallet e asaj lufte për pesë muej, nuk kallzohen, se s’kanë fund, por ama edhe na treguem vedin para asaj ushtrie të madhe e të pashpirt. “
          Për aksione të tilla shprehet edhe K. Novakoviç në veprën e tij: “ Postat e mëparshme zëvendësoheshin me të reja, sepse të vjetrat ishin shndërruar në varreza të vogla bri rrugës.” (Prof.Th. Murzaku, cituar, f. 152).
          Për qëndresën në  Fushë-Arëz dhe në Shkodrën e rrethuar do të shkruhet në një  tjetër shkrim  
( pjesa e dytë).

________
Autor: Prof. Xhemal Meçi "Mjeshter i Madh"
Pergatiti: Gezim Kopani
Fotografi: Gezim Kopani
Publikon: Forumi Pukjan 

No comments:

Post a Comment