Nga: Myzafer Korkuti
Gjatë 100 vjetëve që kanë kaluar nga zbulimi i kulturës së Komanit, studiuesit e shumtë që janë marrë me interpretimin etnik dhe historik të saj, kanë shprehur mendime nga më të ndryshmet. Një ndër çështjet themelore që ka ndarë studiuesit dhe për të cilën kanë shfaqur mendime shumë larg njeri tjetrit, është ajo e bartësve të kulturës së Komanit. Sipas studiuesve të ndryshëm bartës të kulturës së Komanit janë konsideruar pellazgët, suevët, ilirët e romanizuar, avarët e sllavët.
Zbulimet dhe studimet e arkeologëve për kulturën mesjetare shqiptare krijuan një situatë tërësisht të re e të plotë për të kuptuar shtrirjen gjeografike të kulturës arbërore, përcaktimin e tipareve kulturore, për datimin e saj, për kuadrin historik të lindjes dhe të zhvillimit të saj, si rrjedhim edhe për përcaktimin e drejtë të origjinës së kësaj kulture. Bartësit e kulturës së Komanit kanë qenë një etnos, një popullsi autoktone vendase prejardhëse e popullsisë ilire, e cila në burimet e shkruara të mëvonëshme del me emrat albanë, arbanitë, arbër. Ky emër është i njëjtë me emrin albanët që përmend Ptolemeu (Ptolemeu III, 12,20) të cilët shtriheshin në shpinë të Durrësit. Kjo popullsi vendase, vazhduese e asaj ilire, në mesjetën e hershme, filloi të bëhej gjithnjë e më e rëndësishme, duke i dhënë pastaj emrin krahinës dhe gradualisht gjithë vendit.
Cilat janë argumentet që mbështetin këtë pikpamje, cili është interpretimi historik që i bëhet burimeve arkeologjike për arritjen e këtyre përfundimeve?
Procesin e lindjes dhe të formimit të kulturës arbërore dhe të bartësve të saj duhet ta shohim si një zhvillim historik, në të cilin morën pjesë disa komponente bazë; në kushtet e kalimit nga antikiteti i vonë në mesjetën e hershme, këto komponente, duke u ngjizur me njeri tjetrin, bënë të mundur lindjen e një kulture me fizionomi e tipare të reja, ndaj merituan edhe një emër të ri – kultura arbërore.
Përbërësit që morën pjesë në formimin e kulturës arbërore janë:
- përbërësi autokton ilir, ose trashëgimia ilire
- përbërësi i kulturës provinciale romake dhe i antikitetit të vonë
- përbërësi i kulturës së hershme bizantine
_______
Publikon: Artur Kopani (fb.Pukë.Albania)
Pergatiti: Forumi Pukjan
Informacion mbi fotografine: Varr me ndertim muri nga brenda, Dalmace,Puke. Foto nga N.Selimi.
No comments:
Post a Comment