Wednesday, March 27, 2013
Familja e Sadik Ramës nëpër shekuj
Familja e madhe e Gjopepë e Arapit të Pukës, ishte e njohur qysh në periudhën e lavdishme të "Heroit Kombëtar" Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Një pjesë e kësaj familje u shpërngul në Kosovë rreth vitit 1700. Në fillim ata zunë vend në fshatin Nopole, Lugu i Baranit, e më vonë në Gjurgjevik të Madh, ku kjo familje jeton edhe sot.
Në vitin 1872, nga gjiri i kësaj familje u lind "luani i Kosovës", siç u quajt nga populli Sadiku. Sadik Rama nga Gjurgjeviku, bënte pjesë në rajonin e Rahovecit. Ai ishte një burrë i urtë, i mençur, largpamës dhe bujarë me zë. Ky burrë rrjedh nga fisi Berishë dhe gjithnjë gëzonte simpatinë e fisit, në mbarë krahinën e Dukagjinit e rrafshit (Metohi) e deri në Berishën e brigjeve në Alshiçe, përtej katundit Iballë, rajoni i Pukës në Shqipërinë e Veriut. Familja me emër të mirë e Arapit të Pukës, (në Rrafshin e Kosovës), do të njihet si familja e Sadik Ramës, një dinasti e re, ku, aktiviteti për çështjen kombëtare u përcoll ndër brezni nga i ati, tek i biri e kështu me radhë. Kjo është karakteristikë e Derave të mëdha dhe princërve, që kanë dhënë aq shumë për popujt e tyre, duke mbetur kësisoj në histori të pavdekshëm.
Nacionalisti i njohur Sadik Rama, veprimtarinë e tij patriotike e filloi qysh në rininë e tij të hershme, duke i rezistuar me pushkë në dorë çdo armiku që kishte sulmuar vendin. Në moshën 21 vjeçare, u dallua për trimërinë e shkathtësi në luftën e Drenicës 1893, kundër pushtuesve osmanë, duke marrë famë në tërë Kosovën. Drenica, ishte djepi i trimërisë legjendare, ndonëse një pjesë e udhëheqësve të saj patën për fat të keq një fund tragjik. Drenica, gjatë shekujve ka qenë kryeqendra e zjarrit të pashuar të nacionalizmit, një vullkan, ku, kishin zanafillën e tyre shumë lëvizje të fuqishme çlirmtare, një votër e kryengritësve të njohur, që luftonin pa iu trembur syri kundër pushtuesve të njëpasnjëshme, që u dyndën në tokën arbërore. Këtu patën strehën e tyre fatosat e denjë liridashës, si: Ali Pashë Gusia e Jakup Feri, Bajram Curri e Hasan Prishtina, Isa Boletini e Idriz Seferi, Aqif Bluta e Mulla Idriz Gjilani, Sadik Ramë Gjurgjeviku e Azem e Shote Galica, do të lëshonte shkëndijat e veta në vitin 1945, mbas pushtimit të Kosovës nga Jugosllavia komuniste, duke përsëritë epopetë e luftrave kreshnike, nën flamurin e kreshnikut të Drenicës Shaban Polluzha, që me zjarr e gjak luftarësh vulosi shqiptarizmin e kulluar të Dardanisë martire. Më 14 janar 1945, u zhvillua ndeshja e parë me brigadat komuniste, e cila filloi në majë të Çiçavicës ku, u zhvilluan përpjekje e luftime të përgjakshme, për të vazhduar deri në fund të marsit.
_______
Burimi: Fan Pages "Berisha e Pukës" Dera e familjes Berisha në arkivat e historisë.
Autor: Tomë Mrijaj & Klajd Kapinova
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment