Nga: Artur Kopani
Gojëdhana dhe studiusit e ndryshëm pohojnë pamëdyshje se Dushmani dhe Temali janë një fis i vetëm dhe degë e fisit të madh të Thaçit.
Studjuesi i përmendur, Franc Nopça(Franz Nopcsa), në veprën ’’Fiset e Malësisë së Shqipërisë Veriore dhe ligji i dokeve(kanuni)’’ ka shkruar:
’’I pari i Thaçit rrjedh nga Muriqani në Anamal, tokë që ndodhet sot në Malin e Zi dhe për këtë shkak fiqet, që banojnë Thaçit, i tallin si eshqà(shkjà - sllavë). Nuk kam mundur të mësoj se si quhej i pari i Thaçit, por gojëdhana thotë, që ishte vendosur në Bushat, prej ku u arratis njeri nga pasardhësit e tij, Bib Bushati, midis viteve 1450 – 1480 në Malësinë e Berishës dhe zuri vend në Fushën e Thaçit. Nga Fusha e Thaçit u shpërngul pasardhësi i Bib Bushatit, Gjeçi, në Kodrën e Gegës në tokën Kryeziu dhe atje i lindën tre djem; Gegë Gjeçi, Buç(Buq) Gjeçi dhe Prend Gjeçi, që kanë jetuar në gjysmën e dytë të shek. XVI. Në fillim vëllezërit shkonin mirë me njëri – tjetrin’’.
Grindja në mes të tyre hyri, kur Buqi u kthye në fenë muhamedane. Edhe Gega dëshiroi ta ndrronte fenë, por kishte frikë nga vëllai tjetër, Prendi. Pas kësaj grindje u ndanë vëllezërit.
Buqi i ba i pari i muhamedanëve të fisit të Thaçit në Iballë të Pukës. Gega themeloi Bugjonin e Gralishten dhe Prendi u ba stërgjyshi i banorëve të tjerë të Thaçit. Gega u betue, se për hatrin e Buqit, ai as pasardhësit e tij nuk ta hanin mishin e derrit. Gjithashtu, gojëdhana thotë se, edhe Buqi u betue se do të festonte brez pas brezi festën e Shënkollit(nata më 5 dhjetor dhe dita më 6 dhjetor çdo vit), duke therrur një bagëti dhe ndezur qirin. Banorët vendas pohojnë se kjo traditë ka vazhdue deri vonë.
Dom Nikollë Gàzulli tek ’’Fjalori Toponamistik’’ thekson: ’’Me gojëdhanë, fisi i Thaçit ka ardhë prej jugut e ka ngulë në Bushat, në Tuz(Hot) e prej Tuzit në Pult, në Dushman e ku gjindet sot(në disa fshatra të rrethit të Pukës, N.Gàzulli). Për vërtetim në Kir të Pultit gjendet toponimi i ’’ Thaç’’(ograj).
Se fisi i Dushman – Temalit ashtë degë e fisit të Thaçit, pohoheet nga një numër studjuesish vendas e të huaj dhe ashtë deshmue kurdoherë nga banorët e krahinës.Një argument bindës asht fakti se banorët e Dushman – Temalit, kurrë nuk kanë lidhur krushqi me banorët e Thaçit, duke i njohur si vëllezër t¨¨e një gjaku.
Siç u theksue mal art, banorët e fisit të Thaçit, përveç krahinës së Dushman – Temalit, shtrihen edhe në fshatrat e rrethit të Pukës; Iballë, Bugjon, Gojan, Miliskà, Arst, Mzi, Gralisht, Flet e Qerret.
Studjuesi At Zef Valentini, në veprën ’’ E drejta e komunitetit në traditën juridike shqiptare’’, për shpërnguljen e fisit të Thaçit nga Tuzi, ka përpilue pasqyrën si maposhtë:
’’Nisja… më 1570 prej Tuzit për Bushat e drejt Pukës(Gojan)
Bugjoni - 65 - shtëpi ; Iballja – 60 shtëpi
Gojani i Epër - Të gjithë ; Miliska – 30 shtëpi
Arsti - 20 shtëpi ; Mziu - 15 shtëpi
Gralishti - 10 shtëpi ; Fleti - 10 shtëpi
Bizakët e Fanit - 170 shtëpi
Dushmani – Qerreti(autori nuk e ka shënuar numrin e shtëpive, sh.a.)
Numri i shtëpive i paraqitur në pasqyrë, që i përket vitit 1933, afirmohet edhe nga stdjuesi Dom Gaspër Gurakuqi.
Familja me mbiemrin Thaçi kemi edhe në Shkodër, prej së cilës rrjedhë edhe Imzot Gaspër Thaçi, Arqipeshkëv i Shkodrës(1936 - 1964). Gjithashtu edhe në Kosovë ka mjaftë familje të fisit të Thaçit, sidomos në Kaçanik.
Në bazë të një studimi të kujdesshëm të bame nga Monsinjor G.Gurakuqi, gjenealogjia e fisit të Thaçit, në rrethin e Pukës, kishte arritur në 12 breza. Duke qenë se ky studim ishte ban ë vitin 1933 dhe që nga ajo kohë kanë kalue 75 vjet, i takon për të shtue edhe dy breza.
Sot mund të themi me përafërsi, se fisi i Thaçit, qysh prej kohës së ardhjes nga Tuzi ka arritur në 14 breza. Studjuesit llogarisin një brezë i përketë periudhës prej 30 vjetësh, kemi 14 breza x 30 vjet = 420 vjet.
Bazue në llogaritjen e masipërme rezulton se banorët e parë të fisit të Thaçit kanë ardhur prej Tuzit dhe janë vendosur në krahinën e Dushman – Temalit rreth viteve 1570 – 1580, që përkon me kohën e llogaritun nga At Zef Valentini dhe me të dhanat e studjuesit F. Nopça.
Se banoret e fisit të Thaçit janë vendosur në ato treva që gjenden sot, pas pushtimeve osmane kemi edhe një provë tjetër me randësi;
Në Defterin e Rregjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës, të vitit 1485 nuk rezultonin emnat e fshatrave, ku banon sot fisi i Thaçit, që mes a duket asokohe nuk kishte banorë aty. Ato fshatra, me siguri janë krijuar prej banorëve të rinj të ardhur nga Tuzi, në gjysmën e shek. XVI-të.
Dhuna e egër e ushtruem prej pushtuesit osmanë i detyroi banorët e fisit të Thaçit t’i braaktisin fushat e tyre, aq të begata dhe të mësyjnë malet për të ruejtun lirinë, fenë, gjuhën dhe traditat e të parëve,
Faqja 54 - 57
Janë disa fragmente të librit të shkruem në internetë nga Bep Martin Pjetri.
Bahet kjo punë me synim, që dashamirët të njihen me librin shkencor ''Dushman - Temali'' të historianit, juristit dhe laborantit mikro-biologjik dushmanasi i Shllakut Ndoc Ndoja.
Marrë nga libri shkencor ’’Dushman – Temali’’ i autorit, juristë dhe studjues dushmanasi Ndoc Ndoja.
Shtëpia Botuese ’’Camaj – Pipa’’ Shkodër 2008.
No comments:
Post a Comment