Friday, August 30, 2013

Në Kryezi të Pukës duke kërkuar gjurmët e një jete

Nga: Nga Veledin Durmishi

-Reportazh-



Të përhimtën e Tiranës e lamë pas e diku nga Lezha një mjegull e dendur sikur kërkoi të pengonte lëvizjen tonë, ndërsa, kur prekëm lartësinë e maleve të Pukës, ishte një kthjelltësi e cila i dha shpirtit tonë një qetësi, kurse ne sodisnim bukuritë e natyrës që shfaqeshin mal pas mali. Ishim nisur drejt fshatit Kryezi të Pukës nën një simbolikë të veçantë, të bukur e aq domethënëse. Zef Shoshi, “Piktori i Popullit” ishte në makinën e udhëtimit dhe shkonte në një shtëpi të cilin e kishte vizituar 48 vjet më parë. Ishte i ri atëherë e pasionin e vet të pikturës e derdhte te portretet e njerëzve të thjeshtë, te pigmenti i fytyrës duke gjetur aty atë detaj që vetëm syri i artistit e deshifron. Ishte ftuar në këtë eveniment edhe një tjetër korife i artit tonë, Dritëro Agolli, “Nderi i Kombit”, por ai nuk mund të vinte dot. Mosha s’e lejonte, por një mesazh e kishte dërguar drejt asaj familjeje, ku 48 vjet më parë ai kishte bujtur një natë duke kërkuar gjurmët e njeriut të punës e që në emër të së resë kishte bërë një “revolucion” aty. Në makinën tonë të vogël u ndezën tingujt e çiftelisë nga rapsodi popullor Gëzim Ahmetaj. Ishte një këngë kushtuar një njeriu nga fshati Kryezi të cilin dikur Agolli e Shoshi e kishin bërë personazh të artit të tyre të pavdekshëm. Të bukurën, të mirën, njerëzoren, të renë e do çdo kohë. Ajo krijon atë hulli të vetëdijës e cila dikur të bën të ndihesh krenar, të bën të kthesh kokën pas e të deshifrosh gjurmët e të parëve të tu. E kjo është vetëdijë kombëtare e cila krijon memorien e brezave e që duhet të shkruhet sot. Nesër është vonë.
Nën këtë mesazh po shkonin drejt Fshatit Kryezi të Pukës qindra njerëz, personalitete të artit, përfaqësues të pushtetit vendor, protagonistë të ditëve të djeshme, pasardhës të një dere të madhe e cila tani kishte një tjetër simbolikë; të promovonte një shtëpi të vjetër, të traditës, të ringrinte atë duke kërkuar të ripërtërijë kujtesën e brezave të vjetër e të sjellë në kujtesën e brezave të rinj momente të së shkuarës duke u thënë se jetë të vdekur nuk ka patur kurrë. Në Kryezi është një shtëpi e cila si edhe dikur, duket që larg. Një tabelë në hyrje të fshatit të bën me dije se je në Kryezi dhe përpara ke një rezidencë turistike e që quhet “Dedë Ndue Alia”(Shala)

Kush është Dedë Ndue Alia (Shala)
Një banor i fshatit Kryezi, që kishte trashëguar nga të parët krenarinë, bujarinë, dashurinë njerëzore, cilësi këto të cilat dinte t’i promovonte e t’i përçonte më tej. Kishte pak shkollë, por ishte “Ndrec Ndue Gjoka” i fshatit të vet duke hapur aty shkollën e parë. U mësoi abc-në fëmijëve të fshatit e bashkë me abetaren diti t’u japë të vegjëlve magmën e jetës, tharmin jetësor, u injektoi atyre cilësitë më të mira të një sjelljeje, bazë e të cilit ishte humanizmi. Ishte viti 1960 dhe padija ishte ulur këmbëkryq në vatrat e tyre ashtu si flaka e kandilit e qiriri i pishës. Ishte i ri atëherë Deda. Një trup vigan, me një kthjelltësi të admirueshme, me një shpirt të paqmë, e që një ditë të lume zbriti në Tiranë. Për një dinamo zbriti një malësor. Përfytyroni një malësor me plisin mbi kokë që kërkon në kryeqytet një vegël të cilit i dinte vetëm emrin “Dinamo”! Shumëkush ngriti supet, rrudhi buzët, familja e kundërshtoi, por Deda me atë shpirt të vendosur prej malësori, kërkoi të bëjë një “revolucion” atje në fshatin e tij. Dhe erdhi “vegla”. Njerëzit, skeptikë nga natyra, shihnin Dedën të hutuar. Dhe atje poshtë shtëpisë së tij, në një përrua, një ndërtesë e vogël, një turbinë e sajuar në një trung lisi, dinamua e sjellë nga Tirana, ca fije teli që u ngjitën drejt kullës së Aliajve. Dhe një mbrëmje aty erdhi drita elektrike. Ja “revolucioni” për të cilin një gazetar dhe një piktor nga Tirana u ngjitën deri të Kryezi për të parë, prekur, ndjerë aktin e një njeriu që kërkoi të largonte errësirën, padijen duke sjellë kështu mjaftë elementë të rinj të një jetë e cila sërish do të mbetej e vështirë. Njerëzit, me atë dorën e vënë pas veshit dhanë një sihariq si të jepnin një lajm të madh.
Në malësi për herë të parë ishte parë drita elektrike. Dritën të cilën njeriu e ka te retina e syrit, e ka te fosfori i kockës, e ka te regëtima e shpirtit, pra, drita ndriçoi kullën e Dedë Shalës për herë te parë. Atje te përroi poshtë shtëpisë së tij ishte edhe një mulli e uji ditën futej të turbinën e mullirit të bluante drithin për 52 anëtarët e kësaj familjeje e në mbrëmje uji ndërronte drejtim, futej në turbinën që duart e arta të Dedës e kishin bërë me një trung lisi, më tej uji prekte fletës e “dinamos” dhe drita elektrike ndriçonte kullën e vjetër të një familjeje të madhe tipike malësore. U flak kandili i paditurisë, e muzgëta e kohrave tani iku tutje pyllit me gështenja, u flak pisha e tymit të zi e kështu njerëzit e kësaj dere prekën një erë të re….
“Në kërkim të një ëndrre dhe të një dinamoje”
Kështu e quajti reportazhin e vet Dritëro Agolli dhe në datën 18.4.1965 u botua në gazetën “Zëri i popullit”. Gazetari i ri u ngjit deri në lartësinë e Pukës e të Fushë-Arrësit për të prekur jetën sepse jeta dhe njeriu është një planet që nuk do të eksplorohet kurrë. Kishte takuar mjekun Alfred Serreqi aty dhe kishte prekur një pjesë të halleve të përditshme, të cilat gazetari i ri i hidhte në ditarin e tij për t’u dhënë jetë… Aty mësoi për fshatin Kryezi pak kilometra më tej Fushë-Arrësit e ku rruga gjarpëron në një malore e që më tej shkon drejt Iballës. Pra, në këmbë ishte nisur poeti për të gjetur një njeri që kishte sjellë për herë të parë energjinë elektrike. Dhe “hajde bujrum”! dera hapet dykanatash për mikun e mirë, buzëqeshja deshifron bukurinë e shpirtit human që te malësori nuk ishin kurrë mangut, por edhe kurrë tepër. Ata e dinin vetë masën. Me atë masë nderi e dinjiteti ata kishin ndërtuar jetën thjeshtë, por bukur, kishin njohur agimin dhe muzgun, lindjen dhe vdekjen. Ata e zotërojnë kodin e së përkorës më mirë se askush edhe pse shkolla u ka munguar. Ua kishte mësuar jeta dhe plagët e shpirtit dinin t’i mbuloni aq bukur, dhe aq bukur dinin të falnin mirësinë. Sepse jeta nuk është frymëmarrja, por përjetimi i mirësisë. Për mikun gjithçka më e mira!.
E para fjala, muhabeti ishte ndezur si jo më mirë e Dritëroi aty kishte parë një familje si lisi degëgjerë, plot 52 anëtarë. Sa një fshat, nuk kishte përtuar të thotë gazetari nga Tirana, ndërsa kërkonte të deshifronte gjithçka të atij kodi gjenetik, por që edhe anëtarët e kësaj dere ia dhanë atë mundësi. Aty u fol për “shkencën” e Dedës, për punët e stinës, për Kanunin e Lekë Dukagjinit, për retë kanunore të cilat koha e re po i griste pak nga pak, për punët e bujqësisë, për dashurinë dhe mirësinë, për zajret e dimrit. E u pi raki. Gazetari e njihte mirë, “artin e pirjes” dhe piu sa askund tjetër. Aty u gdhi ai, por nuk mbylli sy tërë natën. Gjithçka që përjetoi ishte tej mundësive për ta perceptuar ai. Dhe sot pas 48 vjetësh, reportazhi “Në kërkim të një ëndrre dhe të një dinamoje” u gjet diku, u hodh në një libërth dhe atje në kullën e re të Aliajve u shpërnda. Ishe një kumt i bukur që çdo brezi diçka i tha; të njohësh gjurmët e tua, të dallosh vlerat e saj, të ngjallësh vetëdijën tënde kur më tej e diku ajo po vdes. Dhe në derën e Aliajve kjo vetëdijë nuk vdiq. Përkundrazi…
Fisi si lisi
Aty te ajo shtëpi e vjetër e ndërtuar në vitin 1928 dhe e restauruar në vitin 2013 rrjedh një pjesë historie e në krah të saj është ngritur një tjetër ndërtesë tani më e plotë, me mjaftë elementë të kohës së re, por që e vjetra ka atë simbolikë të cilën çdo sy e dallon qartësisht. Shoqata eko-turistike e Pukës për të promovuar traditat e për të mos e braktisur fshatin, i kërkoi pushtetit vendor që shtëpinë e Aliajve, atje në Kryezi ta çertifikoni “Rezidencë turistike”. Dhe propozimi ishte miratuar. Ditë më parë ky fshat përjetoi një atmosferë festive. Njerëz të ndryshëm, përfaqësues të artit, të pushtetit vendor, gazetarë e artistë të skenës, banorë të komunitetit, ish punonjës të dikurshëm që kishin derdhur mundin aty, ishin të ftuar në një festë e cila u mbush nga artistët e ansamblit “Puka”. Drejtuesi i këtij evenimenti ishte kryetari i shoqatës eko-turistike. Gjovalin Alia i cili organizoi takimin sipas një plani të përcaktuar me detaje. Një pllakë përkujtimore u zbulua në ballinën e shtëpisë rezidencë. Kryetari i komunës Qafë-Mali, Hil Kola, përshëndeti të pranishmit, revokoi traditat e mira të kësaj dere, foli për paraardhësit e saj ku shumë prej tyre kanë lënë gjurmë të cilat brezat kanë ditur t’i deshifrojnë. Kështu nga kjo derë është i madhi patriot Shtjefën Gjeçovi, ky gjuhëtar sqimtar, ky etnograf e atdhedashës i kulluar, nga kjo derë është Ndue Dodë Alia i cili është dekoruar nga Papa Gjon Pali në vitin 1996, me një bekim si njeri i mirësisë, nga kjo derë është Mark Dodë Alia i cili është dekoruar nga Presidenti Topi në vitin 2011 si veprimtar patriot, Dodë Ndue Alia me çertifikatën “Qytetar nderi” nga komuna Qafë-Mali dhe së fundi Tonin Alia dekorohet nga Presidenti Nishani me urdhri n”Mjeshtri i madh” në janar të vitit 2013. Tonini është president i një kompanie të madhe në artin e mobilimit “Ardeno”.
“Kemi artin për të mos vdekur”
Vetëdija popullore vërtet është një statujë e mbuluar e që zbulimi i saj kërkon njohje, kulturë, aftësi; njeriu fsheh vlera të cilat duhet të deshifrohen, te një rrudhë balli, te një flokë i thinjur, artisti diçka kërkon me ngulm sepse ai e di mirë se boshësi nuk ka. Janë mësime universale të cilat kanë kaluar nga brezi në brez qoftë edhe gojore dhe mëtojnë himnin e madh të jetës. Atë himn të cilin njeriu e ka pasaportë të dinjitetit të origjinës. Atë ditë, atje në Kryezi, si një urim mirëseardhjeje ishin ca punime artistike që janë unikalë edhe tej Shqipërisë.. Një artist, herët i skenës artistike e më pas i gdhendjes në dru, është më i gjindshmi aty. Janë dhjetëra punime në dru, të përmasave të ndryshme e cila shfaq aty para vizitorëve lartësinë e një bote që duhet perceptuar në tërë kompleksitetin e vet. Është artisti Llesh Biba i njohur në gdhendjen e drurit e që me ekspozitat e tij ka tërhequr vështrimin e opinionit artdashës, ka sjellë aty një koleksion ku motivet veriore, epizmi, paraqesin aty atë dinjitet të artit popullor si dëshminë më autentike të mbijetesës së tij. Te ballina një tjetër artisti i të njëjtit art, pra ai i gdhendjes në dru, Riza Toska, sjell punime artistike me motive pukjane, ku lirizmi shfaq bukurinë e vet. Atu-këtu punime të nënave pukjane, tirqe, xhamadanë, pështjellakë, xhubleta ku arti qëndron te e bukura dhe e bukura shpreh aq simbolikisht artin. Puka njihet për instrumentistët e saj virtuozë të cilët kanë krijuar fytyrën e vet ndër vite si përfaqësuesit më dinjitozë të çiftelisë e të cules. Sigurisht ky art ka patur protagonist një artist të madh si Ndue Shyti, por kjo traditë nuk do të shuhet në Pukë. Këtë risi e pashë edhe atje në Kryezi, ku çiftelia me ata tela të tendosur sikur sillnin zërat e dridhshëm të jetës, ndërsa grupe valltarësh ishin shtojzovallet e ditës atje në lëndinat e prillta të fshatit Kryezi. Brenda ndërtesës ka të tjera fotografi familjare, ndërsa në një kënd “Artisti i populli” Zef Shoshi s’mund të bënte sehir. Kishte “mbërthyer” një 10-vjeçar dhe i përqendruar po i hidhte portretin në letër. Dridhshëm dora e artistit edhe pse ai ka bërë mijëra portrete. Janë ato emocionet e artit kur ai të mban në “kthetrat” e tij. Artisti ndihet mirë brenda tyre… Diçka u mboll në një ditë gushti atje në Kryezi. Tradita krijon vetëdijë nëse përcillet, kumton, ndryshe ajo vdes. Dhe vdekja shpirtërore është vdekja e kombit, vdekja e vetëdijës. Të sjellësh në vetëdijë djepin tonë kulturor, etnik, është një obligim i përjetshëm, është vitalitet të cilin duhet ta përcjellim me dashuri…
_____
Burimi: tiranaobserver.al
Publikuar me date: 27 gusht 2013

Rezidence turistike ne fshatin Kryezi, Puke


Banesa e Dede Ndue Alia kthehet ne rezidence turistike ne fshatin Kryezi duke e bere keshtu kete shtepi si "Shtepia turistike".

Ajo u hapi dyerte ne diten e "Eko Turizmit" Pukjan. Kjo rezidence u ndertua nga Tonin Alia . Ne fjalen e tij Tonin Alia nder te tjera tha: "Kjo eshte nje pune modeste kushtuar turizmit ne rrethin e Pukes.Turistet ketu do gjejne cdo here mikpritjen si dhe ushqimet tradicionale te fshatit tone."

Ndersa prof. Mahir Hoti tha: "Kjo eshte nje pike e rendesishme turistike qe i shtohet hartes eko turistike te vendit tone."
Ne kete takim mori pjese kryetari i Komunes Hil Kola si dhe shume personalitet te rrethit te Pukes.
Ndersa shoqata "Eko-turisktike" e Pukes i dha titullin "Shtepia turistike" ndertuesit te kesaj rezidence z.Tonin Alia.


______
Burimi: Forumi Pukjan

Monday, August 26, 2013

Ansambli Puka merr cmime ne Rapsht te Tuzit


Para disa ditesh ne Rapsht te Tuzit u zhvillua fstivali nderkombetare folkflorik "Rapsht 2013". Ne kete festival konkuruar shume grupe artistike nder te cilat edhe ansambli "Puka".

Ansambli Puka u ngjit ne skene naten e dyte te ketij festivali. Me perfundimin e festivalit ansambli "Puka" mori disa cmime si: "Cmimi grupi folkflorik me i mire" Nder interpretuesi Ervin Gega mori cmimin e ciftelise.
Ky aktivitet u mbeshtet nga Bashkia e qytetit Puke.

_____
Burimi: Forumi Pukjan

Ansambli “Puka” nderohet me çmim nga UNESCO


Lodrimi me fyellin dhe çiftelinë është pasion i pandashëm dhe frymë për jetën e pjesëtarëve të ansamblit popullor “Puka”.

 Për pjesëtarët e këtij ansambli, Pjetër Nimanin, Gjovalin Ndrecën, Nikolin Qafën dhe Sadri Markun, muzika që bëjnë nuk është një punë, por një mënyrë për të përjetuar dhe për të përçuar frymë nëpërmjet muzikës që ata bëjnë në çdo koncert apo festival ku kanë marrë pjesë. Së fundmi, ansambli popullor “Puka” ka qenë pjesëmarrës në festivalin e parë popullor evropian në Athinë të Greqisë, ku janë nderuar me çmimin special “UNESCO”, duke vlerësuar punën e tyre.
Pjetër Nimani, drejtuesi artistik dhe drejtuesi i orkestrës së ansamblit “Puka” në një prononcim për gazetën thotë se “Ishte përfaqësim i ansamblit “Puka” me pjesën e saj kryesore të orkestrës, kjo për arsye të kritereve të festivalit ku nuk mundej të merrte pjesë i tërë ansambli përshkak të kritereve që kishin vendosur organizatorët e festivalit. Ishte vërtet fantastike të ndiheshe aq mirë në mes të Athinës, ku jemi pritur shumë mirë nga shqiptarët që banojnë dhe punojnë në greqi, madje do t`ju tregoj një kuriozitet, gjatë performacës tonë, kishte momente që muzika jonë mbytej nga duartrokitjet e zjarrta të shqiptarëve që ndoqën këtë festival të muzikës popullore. Marrja e çmimit special “UNESCO” ishte një emocion më vete, pasi u ndjemë jashtëzakonisht të vlerësuar për punën tonë në këto vite”.
Ndërkohë kryetari i shoqatës “Shqipëria”, Ilirjan Dhima, u shpreh tejmase i entuziazmuar për këtë performancë të ansamblit “Puka” në festivalin e parë europian në Athinë. “Ndjehem i nderuar që ndodhem me kryetarin e Bashkisë Pukë për të nderuar ansamblin popullor “Puka”. Shoqata “Shqipëria” dhe UNESCO ka nderuar me diplomat UNESCO, ansamblin dhe unë jam sot këtu për të dhënë çmimet për ta. Këta pukjanë na dhanë nder dhe kënaqësi me pjesëmarrjen e tyre ku jemi ndjerë dhe shumë krenarë. Ju falenderoj juve dhe ansamblin tuaj për këtë pjesëmarrje historike. Një folklor si folklori i ansamblit puka ka arritur madje të bëjë të qajë presidentin e UNESCO-s në Greqi gjatë këtij aktiviteti”, – theksoi kreu i shoqatës “Shqipëria”.
Ansamblin popullor “Puka” e ka përshëndetur për këtë arritje edhe kryetari i Bashkisë së Pukës. “Unë ndjehem krenar që marr një vlerësim kaq dinjitoz që më bën edhe më shumë krenar. Këta artistë janë të përmasave botërore dhe më bëjnë të ndihem krenar pasi përfaqësojnë trevën e Pukës. Unë e konsideroj se këtë pjesëtarë të ansamblit janë ambasadorët tanë në kulturë. Këta janë ata që kanë ruajtur me nivel të lartë artistik folklorin tonë. Unë nuk do të them fjalë të mira për një prej tyre, por për të gjithë pasi nuk kanë dallim në punën e tyre të mrekullueshme. Unë i falenderoj anëtarët e ansamblit “Puka” dhe jurinë që ka dhënë këtë çmim të rëndësishëm për ansamblin tonë”, tha kreu i Bashkisë Pukë.
Pas fjalëve të rastit kreu i shoqatës “Shqipëria” ka shpërndarë dhe diplomat për të gjithë pjesëtarët e ansamblit “Puka” duke ju shprehur atyre dhe mirënjohjen për arritjen e madhe në këtë festival. Ndërkohë vetë pjesëtarët e ansamblit popullor “Puka” kanë falenderuar të gjithë shqiptarët që ndoqën nga afër festivalin, ndërsa falenderime ka pasur edhe për ata pa të cilët pjesëmarrja e tyre nuk do ishte e mundur në Greqi në këtë festival. Mbështetësit kryesor të këtij aktiviteti ka qenë, Arjan Ndoja – Kryetar i sofrës Pukjane, Mark Gjinaj – Rafaelo 2002, Ludovik Hasani – Jurgen XXL, Lazer Mhilli – Vila L, Tonin Alia – Ardeno.
Çmime dhe pjesëmarrje të ansamblit popullor “Puka”
Orkestra e ansamblit “Puka” është nderuar me çmime të shumta ku ndër çmimet më të rëndësishme ka qenë ai “Naim Frashëri” urdhër i klasit të tretë. Ata janë vlerësuar gjithashtu me çmimin e madh nga universiteti “Alfred Topfler”.
Ansambli “Puka” ka qenë pjesëmarrës në festivale të shumta në Austri, Zvicër, Poloni, Greqi e madje edhe në Egjiptin e largët ku tingujt muzikorë veriorë kanë pushtuar vendin. Formacione të ndryshme të këtij ansambli kanë marrë pjesë në festivale të ndryshme edhe në Ballkan, si në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, dhe në Itali gjithashtu.
Pjestarët e ansamblit “Puka” që janë nderuar me çmimin special “UNESCO”
Pjeter Nimani – Drejtues Artistik, drejtues i orkestrës së ansamblit popullor “Puka”. Pjesëmarrës në të gjitha festivalet kombëtare të organizuara në Gjirokastër dhe Berat, gjithashtu pjesëmarrës në të gjitha festivalet lokale dhe ndërkombëtare ku ka qenë pjesë dhe ansambli “Puka”.
Gjovalin Ndreca – Instrumentist i veglave frymore, laureat i disa festivaleve, qytetar nderi i Lezhës
Nikolin Qafa – Instrumentist virtuoz i ansamblit, pjestar i disa festivaleve kombëtare
Sadri Marku – Instrumentist virtuoz i orkestrës së ansmablit “Puka”, pjesëmarrës në shumicën e festivaleve kombëtare.
______
Burimi: gazetametropol.com

Krijohet shoqata e emigranteve Pukjan ne SHBA


Krijohet per here te pare ne SHBA shoqata e pare e emigranteve Pukjan "Puka" ne SHBA. Ideatori i krijimit te kesaj shoqate eshte e emigrantit pukjan Fran Gjoka.

Qellimi i krijimit te kesaj shoqate eshte bashkimi i komunitetit Pukjan qe ndodhen emigran ne SHBA si dhe per te ruajtur traditen Pukjane si dhe gjuhen amë.

Nje tjeter qellim i krijimit te kesaj shoqate eshte edhe ardhja ne ndihme e familjeve ne nevoje ne rrethin e Pukes ne ato raste kur do kerkohet ndihma e emigranteve Pukjan.
Edhe me pare ne rastet e publikimeve te familjeve ne nevoje emigranti Pukjan Fran Gjoka ka dhene kontribute te ndryshme per tju ardhur ne ndihme. Duke treguar keshtu gatishmerin e tij per te ndihmuar Pukjanet pa dallim.

______
Burimi: Fran Gjoka
Ne fotografi: Fran Gjoka

Wednesday, August 21, 2013

RIZA MUSTAF KRYEZIU



Rizai kaloi shumë kohë në Kosovë për situatat politike të krijuara lidhur me Mustafë Kryeziun dhe të birin Elezin. Ky për natyrë ishte më pak ambicioz, më i qetë dhe me prirje për pajtim. Në fillim të LANÇL Riza Kryeziu mbajti qëndrim asnjanës. Në tetor 1944 u thirr në Pod' Kishës, (Mejdan), prej përkrahësve të Kolë Bib Mirakës dhe iu propozua grada kapiten me kusht që të merrte pjesë në luftën kundër partizanëve. Rizai iu shmang me urtësi këtij propozimi. Ndërsa po kthehej me "ndore", dikush shtiu mbi të, sa përpak mbet i vrarë.Ardhjen e Brigadës XXII-S e priti bujarisht. Komandanti i kësaj Brigade fillimisht u vendos në kullën e rehatshme të Riza Agës dhe i kërkoi që të zgjidhej Kryetar i Këshillit ANÇL të fshatit Kryezi. N/kryetar u zgjodh Zekë Quni, kurse sekretar Nuhi Elezi. Edhe i biri, Aliu, ndonëse i ri, për shërbimet që kreu, sot është veteran i LANÇL. Më pas Aliu u burgos për qëndrimin e tij antikomunist dhe familja e tij u shpall "kulak". E shoqja e Aliut, një bijë e Salih Petkajt, hoqi shumë, por përballoi me dinjitet vuajtjet e shkaktuara nga "Lufta e Klasave". Megjithëkëtë, geni fisnik i kësaj familjeje nuk u shua. Vazhdon me Mustafë Ali Arifajn, i cili u përfshi në lëvizjen e proçeseve demokratike që në Janar 1990. Sot i diplomuar, ekonomist agrar.

______
Burimi: Libri “Kabashi” me  autor  Xhemal Meçit.

Ju ftojme te vizitoni faqen tone ne Facebook

Te nderuar vizitor te Forumi Pukjan!


Stafi i Forumi Pukjan njofton te gjithe naviguesit se eshte hapur ne facebook faqja "Fan Pages" e Forumi Pukjan.


Faqja e vjeter e Forumi Pukjan ka qen user dhe per kete arsye numri i antrareve ka qene i kufizuar dhe per kete qellim kemi hap ne facebook nje fan pages ku mjafton te klikoni ne butonin "Pelqej" ose "Like" per tu bere antar i faqes tone.
Per te hyre ne faqen tone ne facebook kliko ketu: https://www.facebook.com/pages/Forumi-Pukjan/729742070384674?fref=ts

Ju mirepresim!

Admin

Friday, August 9, 2013

REPORTAZH/Udhëtim në Pukën Turistike

Pasi gjarpëron në një rrugë panoramike, në mes pyjeve të pishës, nën flladet verore të Bjeshkëve qyteti i Pukës i shtrirë në mesin e kurorës së gjelbër duket se të uron mirëseardhjen. Një mirëseardhje krejt të veçantë ku bukuritë natyrore të kësaj treve janë befasuese e ku e vetmja simfoni që mbizotëron është magjia e ujërave të kristaltë që gurgullojnë në lumenjtë që përshkojnë zonën. 

Një panoramë çlodhëse e relaksuese që vetë natyra e ka qëndisur deri në detajet më të imëta duke u dirigjuar e luajtur nga cicërimat e zogjve dhe puhizat e lehta të flladit që përcjellin Bjeshkët të miksuara me aromën e luleve të luginave. E lokalizuar në verilindje të vendit Puka është në gjendje të ndërthurë traditën me modernen, antiken me klasiken, të bukurën me të brishten. 

E duket sikur kufijtë natyrorë, të cilët e përkufizojnë fizikisht qytetin, bien në kontraditë dhe nuk paralelizohen me bujarinë, mikpritjen dhe zemërgjerësine pukjane gjë që e shprehin mjaft qartë turistët që e vizitojnë vendin. 

E ndërsa udhëtohet drejt Pukës gjelbërimi, ajri dhe freskia marrin jetë dhe të falin ndjesitë e munguara në shumë vende, madje edhe atje ku teknologjia mund të ketë arritur majën asgjë nuk barazvlerësohet me natyrën që pikturoi këtë qytet malor. 

Bukurit natyrore të kësaj treve janë aq befasuese, sa janë befasuese dhe interesante edhe jeta e malsorve që jetojnë në këto anë, ku tradita kulturore dhe njësitë shpirtërore e materiale janë trashëguar brez pas brezi. Natyra e rrallë magjepse e Pukës, ka krijuar mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit malor, duke e kthyer këtë zonë në mesin e veriut të Shqipërisë në një ofertë turistike të kënaqshme, larg zhurmave të qyteteve të mëdha, larg smogut e ndotjes akustike. 

Natyra duket se është treguar shumë bujare me këtë zonë duke i falur mjedise natyrale për t’u admiruar me male, lëndina e livadhe të panumërta. 

Gjithashtu bimët e shumllojshme medicinale dhe frutat e egra, janë resurse që natyra i ka dhuruar kësaj krahine duke i kthyer hapësirat e gjelbërta të Pukës në një amfiteatër gjigant joshës e natyral me plot surpriza, për turistët që vlerësojnë resurset e kësaj zone. 

Puka, si një vend i paeksploruar shumë, nga turistet vendas dhe të huaj është një ndër zonat ku natyra të ofron pamje të mahnitshme, të virgjëra e të pastra në një sipërfaqe totale 1250 km2. Klima malore e Pukës, bjeshkët e saj me pyjet që brenda duket se mbajnë historinë janë dhurata që natyra i ka bërë kësaj zone në mënyre që njeriu t’i përdorë, janë germat e arta që skaliten krenare përgjatë historisë pukjane. 

Pushimet një ditore në kampe të improvizuara vetjake janë një tjetër mundësi që rrethi i Pukës ofron kryesisht për turistët e huaj. Fan dhe Anik Lin janë një cift turistësh të ardhur nga Belgjika. 

Pasi kanë vizituar Alpet Shqiptare, kanë zgjedhur si një ndër vendpushimet e tyre dhe natyrën e rrethit të Pukës ku sëbashku me fëmijet ndjehen të lumtur dhe mjaft të sigurt në natyrën e qetë të veriut shqiptar ku të vetmet “zhurma” që prishin qetësinë janë cicërimat e zogjve dhe puhizat e lehta të flladit që përcjellin Bjeshket të miksuara me aromën e luleve të luginave. 

Mes obsioneve të shumëllojshme për të kaluar momente të paharrueshme, nën shoqërinë e mbretëreshës natyre është dhe turizmi ujor, ku hedhjet nga lartësitë e mëdha të atyre puseve të fqinje siç njihen nga banorët të improvizuara si ujëvara do të jenë një kujtim i rrallë i një imagjinate të pakufishme. 

Hedhjet nga lartësitë mbeten një kujtim i paharruar për këdo që në fshatin Kryezi viziton ujvarat që banoret i njohin si Pusat e Kqinje, të cilët po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj. 

Turizmi ujor është mjaft i përhapur në rrethin verior, udhëtimet përmes ujrave të Drinit, në liqenin e Komanit dhe Fierzës mbeten të paharruar për këdo që ka fatin të përshkojë inteneraret turistike në mesin e grykave madhështore me malet e thepisura të shkëmbinjve gëlqerorë, të cilët jo rrallë zbukurohen me gjelbërimin ‘rebel” që vetëm natyra mund ta qëndiste me aq kujdes. 

Qerimi, drejtuesi i varkës që na përcjell në ujrat e Liqenit të Komanit na ben të ditur se çmimet janë shumë të favorshme. Të lundrosh nga Komani në drejtim të Fierzës kushton vetëm 500 lekë. Por teksa mund të kalosh një ditë nga ato të veçantat e jetës, në kthim disa metra pa arritur bregun, atje ku merr rrugën për t’ju rikthyer qytetit, një tjetër mister pret turistët. Mbi tatëpjetën që zbret thik e me krenari mbi brigjet e liqenit të Komanit ndodhet dhe një ndër shpellat më të veçanta në Shqipëri e njohur si shpella e Murgjve, një nga 80 shpellat që ka rrethi i Pukës. 

Turistët e radhës që kanë vendosur të njihen me këtë monument natyror janë një ekip mjekësh gjerman të cilët sëbashku me familjet e tyre kanë zgjedhur Pukën si destinacionin e tyre turistik. Duket sikur mesazhi i tyre si profesionist është i thjeshtë e i qartë: Natyra, freskia e gjelbërimi është burim e nje jete të shëndetshme. Nën shoqërinë e lakuriqve të nates, ata nuk ngurojnë të njihen me bukuritë e rralla, si një tjetër e veçantë që të ofron Puka
./balkanweb.com/kultur%C3%AB/2691/reportazh-udhetim-ne-puken-turistike-144372.html/ Per video kliko ketu: https://www.youtube.com/watch?feature=player_embedded&v=fxpNTrCcoLY