Lodrimi me fyellin dhe çiftelinë është pasion i pandashëm dhe frymë për jetën e pjesëtarëve të ansamblit popullor “Puka”.
Për pjesëtarët e këtij ansambli, Pjetër Nimanin, Gjovalin Ndrecën, Nikolin Qafën dhe Sadri Markun, muzika që bëjnë nuk është një punë, por një mënyrë për të përjetuar dhe për të përçuar frymë nëpërmjet muzikës që ata bëjnë në çdo koncert apo festival ku kanë marrë pjesë. Së fundmi, ansambli popullor “Puka” ka qenë pjesëmarrës në festivalin e parë popullor evropian në Athinë të Greqisë, ku janë nderuar me çmimin special “UNESCO”, duke vlerësuar punën e tyre.
Pjetër Nimani, drejtuesi artistik dhe drejtuesi i orkestrës së ansamblit “Puka” në një prononcim për gazetën thotë se “Ishte përfaqësim i ansamblit “Puka” me pjesën e saj kryesore të orkestrës, kjo për arsye të kritereve të festivalit ku nuk mundej të merrte pjesë i tërë ansambli përshkak të kritereve që kishin vendosur organizatorët e festivalit. Ishte vërtet fantastike të ndiheshe aq mirë në mes të Athinës, ku jemi pritur shumë mirë nga shqiptarët që banojnë dhe punojnë në greqi, madje do t`ju tregoj një kuriozitet, gjatë performacës tonë, kishte momente që muzika jonë mbytej nga duartrokitjet e zjarrta të shqiptarëve që ndoqën këtë festival të muzikës popullore. Marrja e çmimit special “UNESCO” ishte një emocion më vete, pasi u ndjemë jashtëzakonisht të vlerësuar për punën tonë në këto vite”.
Ndërkohë kryetari i shoqatës “Shqipëria”, Ilirjan Dhima, u shpreh tejmase i entuziazmuar për këtë performancë të ansamblit “Puka” në festivalin e parë europian në Athinë. “Ndjehem i nderuar që ndodhem me kryetarin e Bashkisë Pukë për të nderuar ansamblin popullor “Puka”. Shoqata “Shqipëria” dhe UNESCO ka nderuar me diplomat UNESCO, ansamblin dhe unë jam sot këtu për të dhënë çmimet për ta. Këta pukjanë na dhanë nder dhe kënaqësi me pjesëmarrjen e tyre ku jemi ndjerë dhe shumë krenarë. Ju falenderoj juve dhe ansamblin tuaj për këtë pjesëmarrje historike. Një folklor si folklori i ansamblit puka ka arritur madje të bëjë të qajë presidentin e UNESCO-s në Greqi gjatë këtij aktiviteti”, – theksoi kreu i shoqatës “Shqipëria”.
Ansamblin popullor “Puka” e ka përshëndetur për këtë arritje edhe kryetari i Bashkisë së Pukës. “Unë ndjehem krenar që marr një vlerësim kaq dinjitoz që më bën edhe më shumë krenar. Këta artistë janë të përmasave botërore dhe më bëjnë të ndihem krenar pasi përfaqësojnë trevën e Pukës. Unë e konsideroj se këtë pjesëtarë të ansamblit janë ambasadorët tanë në kulturë. Këta janë ata që kanë ruajtur me nivel të lartë artistik folklorin tonë. Unë nuk do të them fjalë të mira për një prej tyre, por për të gjithë pasi nuk kanë dallim në punën e tyre të mrekullueshme. Unë i falenderoj anëtarët e ansamblit “Puka” dhe jurinë që ka dhënë këtë çmim të rëndësishëm për ansamblin tonë”, tha kreu i Bashkisë Pukë.
Pas fjalëve të rastit kreu i shoqatës “Shqipëria” ka shpërndarë dhe diplomat për të gjithë pjesëtarët e ansamblit “Puka” duke ju shprehur atyre dhe mirënjohjen për arritjen e madhe në këtë festival. Ndërkohë vetë pjesëtarët e ansamblit popullor “Puka” kanë falenderuar të gjithë shqiptarët që ndoqën nga afër festivalin, ndërsa falenderime ka pasur edhe për ata pa të cilët pjesëmarrja e tyre nuk do ishte e mundur në Greqi në këtë festival. Mbështetësit kryesor të këtij aktiviteti ka qenë, Arjan Ndoja – Kryetar i sofrës Pukjane, Mark Gjinaj – Rafaelo 2002, Ludovik Hasani – Jurgen XXL, Lazer Mhilli – Vila L, Tonin Alia – Ardeno.
Çmime dhe pjesëmarrje të ansamblit popullor “Puka”
Orkestra e ansamblit “Puka” është nderuar me çmime të shumta ku ndër çmimet më të rëndësishme ka qenë ai “Naim Frashëri” urdhër i klasit të tretë. Ata janë vlerësuar gjithashtu me çmimin e madh nga universiteti “Alfred Topfler”.
Ansambli “Puka” ka qenë pjesëmarrës në festivale të shumta në Austri, Zvicër, Poloni, Greqi e madje edhe në Egjiptin e largët ku tingujt muzikorë veriorë kanë pushtuar vendin. Formacione të ndryshme të këtij ansambli kanë marrë pjesë në festivale të ndryshme edhe në Ballkan, si në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, dhe në Itali gjithashtu.
Pjestarët e ansamblit “Puka” që janë nderuar me çmimin special “UNESCO”
Pjeter Nimani – Drejtues Artistik, drejtues i orkestrës së ansamblit popullor “Puka”. Pjesëmarrës në të gjitha festivalet kombëtare të organizuara në Gjirokastër dhe Berat, gjithashtu pjesëmarrës në të gjitha festivalet lokale dhe ndërkombëtare ku ka qenë pjesë dhe ansambli “Puka”.
Gjovalin Ndreca – Instrumentist i veglave frymore, laureat i disa festivaleve, qytetar nderi i Lezhës
Nikolin Qafa – Instrumentist virtuoz i ansamblit, pjestar i disa festivaleve kombëtare
Sadri Marku – Instrumentist virtuoz i orkestrës së ansmablit “Puka”, pjesëmarrës në shumicën e festivaleve kombëtare.
______
Burimi: gazetametropol.com
No comments:
Post a Comment