Saturday, April 27, 2013
Harta turistike ne rrethin e Pukes
PUKA
Rrethi i Pukës shtrihet në qendër të Shqipërisë Veriore, në një mjedis ku ndërthuren malet
me luginat e thella, mbulesa të dendura pyjore me siperfaqe të eroduara, lëndina e livadhe
që ndërpriten nga lumenj e përrenj të shumtë, kroje me ujë të kulluar ushqyer nga dëbora
e shumtë që shpesh zbardh deri në verë.
Ketu jeton një popullsi vitale, e shpërndarë në
gjithë territorin, me një histori të pasur, që dëshmohet nga prania e qendrave
arkeologjike, kalatë, gjurmët e mureve ilire, shpellat si dhe me një kulturë shpirtërore që
shprehet në traditat e zakonet, në këngët e vallet popullore aq të bukura të kësaj treve.
Ky mozaik i mjedisit natyror e njerëzor të Pukës përbën një ofertë turistike të veçantë,
mjaft të përshtatshme për shetitje, ski, alpinizëm, gjueti sportive (të peshkut, shpendëve
dhe kafshëve të egra) dhe për veprimtari të tjera rekreative, çlodhëse e argëtuese. Ky
është një sektor në zhvillim e që mund të sigurojë të ardhura të shumta por që deri tani
nuk i është treguar interesi i duhur, ndaj kësaj zone që meriton një vëmendje të veçantë.
DISA ASPEKTE HISTORIKE
Në kronikat hartografike është shumë e përmendur dhe studiuesit vendas përmendin sesi
Ptolemeu nuk e shënon rastësisht qytetin Ad Picaria, ashtu siç nuk mund të shënonte rastësisht qytetet e njohura para tij, si Lissus dhe Skodra. Prandaj, Ad Picaria në shek. II,
afro 1800 vjet më parë bëhet i njohur si qytet në brendësi të vendit. Në vazhdim, në shek
III-IV, në Tabulla Peutingeriana, në Itinerarët (harta të rrugëve antike), Ad Picaria
shënohet fill pas qyteteve Skodre dhe Lissum, XXX milje në verilindje të Lezhës.
Mbas shek. VI, Ad Picaria nuk gjendet e dokumentuar. Ç’ndodhi me të? Shuflai
(historian kroat, studiues i historisë mesjetare shqiptare), thotë se shumë qytete të Ilirisë u
dogjën dhe u shkatërruan gjatë pushtimeve të fiseve barbare. Këtë fat pati, pra, edhe Ad
Pikaria. Ndërsa Puka del e dokumentuar vetëm në veprat e Prokopit të Çezaresë
(historian i madh bizantin i kohës së Perandorit Justinian).
RESURSE NATYRORE
1. Shpella e Kaurit
Ndodhet afër fshatit Lëvrushk, në malin e Kollatës. E formuar si shpellë karstike në
gëlqerorët e trias – jurasit, është e gjatë 250 m, e gjerë dhe e lartë 3 m, me kaonkrecione
të shumta. Vizitohet sipas rrugës rurale Pukë – Levrushk.
2. Fosilet amonite të Triaskut të Poshtëm në Kçirë
Gjenden në fshatin Kçirë, 600 m mbi nivelin e detit. U studiuan nga gjeologu austriak F.
Nopca. Fosilet e spacieve Sagaceras albanikum, Pronorites osmanicus, Procarnites
scanderbegis, etj. dalin në një territor 4500 m2. Vizitohet me rrugën Pukë – Kçirë
3. Peneplena e Gomsiqes
Ndodhet afër fshatit Gomsiqe, 800 m mbi nivelin e detit. Përbën mbetje të peneplenës
tortoniane: sheshimi i relievit nga veprimi i faktorëve të jashtëm (erozionet, etj.), para 17
milion viteve, në kushtet e qetësisë relative të lëvizjeve tektonike diferencuese. Ka
formën e një pllaje të sheshtë: 1,5 km e gjatë, 700 – 750 m 3 gjerë. Vizitohet me rrugën
Pukë - Gomsiqe.
4. Guri i Shenjtë
Ndodhet afër fshatit Zezaj, 538 m mbi nivelin e detit. Është një gur graniti me formë
shumëkëndëshi.
Legjenda e lidh me Skënderbeun. Vizitohet sipas rrugës rurale Pukë – Zezaj.
5. Gështenja e Kokdodit
Gjendet 981 m mbi nivelin e detit, pranë fshatit Kokdode, komuna Iballë. Përbën pyll
gështenjë kali (Aesculus hippocastanum L.), rreth 10 ha, me lartësi 15 – 17 m, diametër të trungjeve 100 – 130 cm, moshë mbi 100 vjet. Vizitohet me rrugën Pukë – Iballë –
Kokdode.
6. Bungat e varrezave në Korthpulë
Gjenden në varrezat e fshatit Korthpulë, komuna Luf, 500 m mbi nivelin e detit. Janë dy
drurë bunge, me lartësi 15 – 16 m dhe perimetër kurorë të përbashkët 70 – 75 m, diametër
trungu 1 – 2 m e moshë mbi 300 vjet. Vizitohet sipas rrugës rurale Pukë – Gomsiqe –
Korthpulë.
7. Qarret e varrezave të Shënkollit në Kryezi
Gjenden afër fshatit Kryezi, komuna Qafe – Mal, prane kishes se Shenkollit, 600 m mbi
nivelin e detit. Jane 5 qarre me lartesi 20 – 25 m, diameter 90 – 100 cm e perimeter 180
200 cm, moshe mbi 250 vjet. Vizitohen sipas rruges rurale Fushe – Arrez – Kryezi.
8. Qarri i Xhamisë së Kryeziut
Gjendet në varrezat e fshatit Kryezi (Brahaj), komuna Qafë – Mal. Ka kurorë ovale,
lartësi 10 – 12 m, diametër trungu mbi 30 cm e perimetër 350 cm dhe moshë mbi 250
vjet. Vizitohet sipas rrugës rurale Fushë – Arrëz – Kryezi.
9. Ujëvara e Kryeziut
Ndodhet në fshatin Kryezi, komuna Qafë Mali. Është në perroin e Oroshit, në
shkëmbinjtë magmatike. Ka dy pragje 3 – 4 m lartësi secili dhe dy pellgje me thellesi mbi
1m. Vizitohet sipas rrugës Fushë – Arrëz – Kryezi.
10. Mrizi i Ndërlugjeve
Ndodhet 800 m mbi nivelin e detit, afer fshatit Meçe, në komunën Rrapë. Jane 4 drurë
bunge 200 vjeçare me lartësi 15 – 16 m, diametër të trungut 90 – 100 cm e perimetër 1,7
– 2 m. Vizitohen me rrugën Pukë - Meçe.
11. Mani i Zi
Gjendet 800 m mbi nivelin e detit, pranë qytetit të Pukës. Eshte man i zi i veçuar, me
lartësi mbi 9 m, diametër të trungut mbi 1 m, moshë rreth 100 vjet. Vizitohet kur shkon
në qytetin e Pukës.
12. Hurdha e Tisit
Ndodhet 650 m mbi nivelin e detit, në luginën e Gomsiqes, pranë fshatit Pevzhë, komuna
Tërbun. Përben dru tisi, me lartësi mbi 9 m, diametër të trungut mbi 80 cm, moshë rreth
100 vjet. Vizitohet sipas rrugës Pukë – monumenti (4 – 5 km). 13. Sofra e Lekës
Gjendet 350 m mbi nivelin e detit, pranë fshatit Kabash, komuna Rrapë është një sofër
guri mbi 7 m2, rreth së cilës mendohet se Lek Dukagjini zhvillonte kuvendet. Vizitohet
sipas rrugës Pukë – Kabash.
14. Karsti i Munellës
Gjendet afër fshatit Tuc, komuna Qafë – Mal, në kurrizin e malit të Munellës, 1800 –
1990 m mbi nivelin e detit. Perfaqëson peisazh karstik me gropa, hinka, puse karstik, etj.
Vizitohet sipas rrugës Fushe Arrëz – Mali i Munellës.
15. Pisha e Dardhës
Gjendet rreth 450 m mbi nivlin e detit, në varrezat e fshatit Dardhë, komuna Blerim.
Është pishë e zezë (Pinus nigra), me lartësi 25 – 30 m, diametër trungu mbi 250 cm e
perimetër mbi 750 cm, moshë mbi 100 vjet. Vizitohet sipas rrugës rurale Fushe Arrez –
Dardhë (30 km).
16. Akacjet e Migjenit
Ndodhen tek muzeu i Migjenit ne qytetin e Pukes. Jane disa akiacie, nen hijen e te cilave
pushente poeti i madh Migjeni.
17. Pisha e Shejzës
Ndodhet afër fshatit Iballë të Pukës. E vetme midis shkurresh, është e lartë mbi 20 m, me
diametër të trungut rreth 50 cm e perimetër mbi 1,5 m dhe moshë mbi 200 vjet. Vizitohet
sipas rrugës rurale Fushë Arrez – Iballë.
MONUMENTE KULTURE
Kulla me Karakoll Kokdodë
Kur Edit Durham kaloi, më 1908-n në këtë fshat të Pukës do t’i bënte përshtypje një
banesë tepër e veçantë. "Është banesa më interesante që pashë në Shqipërinë e Veriut", -
do të shprehej studiuesja angleze për banesën-kullë në fshatin Kokodë të Pukës që
fatkeqësisht sot përbën ekzemplarin e vetëm të këtij tipi banese në Shqipëri
Në Shqipërinë e Veriut deri para disa viteve ruheshin tre banesa të quajtura kulla me
karakoll. Karakolli ishte një ndërtim një kat më i lartë se ambientet e banimit me
perimetër të vogël, i pajisur me frëngji dhe shërbente vetëm për mbrojtjen e banorëve të
kësaj banese. Njëra prej këtyre banesave u përmbyt nga liqeni i Fierzës në fshatin Dardhë
të Pukës. Tjetra në rrethin e Hasit do të rezistonte, por pa mundur të ekzistojë deri më sot.
E vetmja "dëshmi" e këtij lloji banese është në fshatin Kokdodë të Pukës. E braktisur nga banorët e saj që prej pesë vitesh dhe e harruar nga institucionet shtetërore,
banesa-kullë është në prag të shkatërrimit total edhe se çatia është tepër e dëmtuar. E
ndërtuar në mesin e vitit 1800 ajo dallon tipologjikisht nga gjithë banesat-kullë të
krahinës. Ndërsa interesi ndaj saj shtohet edhe nga mjeshtëria dhe mentaliteti i
gdhendjeve të shenjave në gurët e qosheve të kësaj banese, të cilat ruajnë kode të lashta të
jetës së banorëve të krahinës. Kode që koha në shumicën e rasteve i ka zhdukur si
shpagim edhe për indiferencën e njerëzve që duhet të mbajnë përgjegjësi për "humbjen".
Dera e 1800 e kishës së Arst-Miliskaut
Në gusht të vitit 2008 u evidentua, se pranë kishës së Arst-Miliskaut në Rrethin e Pukës,
ruhet një derë druri e gdhendur e viteve 1800. Dera u gjet e përmbusur në baltë e
rrezikuar që nga kalbja të shkatërrohej plotësishtë. Dera ka qenë e kishës që në fillimet e
viteve 1800, dhe është rivendosur edhe pas riparimeve që i janë bërë ngrehinës disa herë
gjatë shekujve të fundit. Ajo paraqet mjaft interes për traditën e dekoracionit arkitektonik
të faltoreve të lashta dhe të kishave në Shqipërinë e Veriut. Në vendin tonë ruhen vetëm
dy dyer të objekteve fetare të kësaj periudhe. Në pjesën e sipërme, dera ka një diell me
rreze, i cili haset shpesh në gdhendje me gur, qëndisje, në veshjet me endje tradicionale
popullore shqiptare. Ky është një motiv shumë i vjetër në Ballkan. Ai është shumë i
ngjashëm me atë të Mbretit të Maqedonisë, Filipi II.
Dera e kishës së Arst Miliskaut ruan edhe gdhendje të lehta me motive gjeometrike, të
cilat janë modele të punuara tradicionalisht në gdhendjet e furkave, djepave dhe orendive
të tjera në vendin tonë. "Rikonstruksioni grafik i këtyre tre elementeve, të derës, dy
shenjtorëte gdhendur në gur, si dhe të simboleve të tjera të gdhendura gjithashtu në gurë
na rezulton si një 'ikonostas' me shumë interes, në të cilin paraqiten objekte përfaqësuese
pagane dhe të krishterimit katolik.
Kisha e Zojës Shna Prende
Në fshatin Kryezi është kisha shumë e vjetër e Zojës Shna Prende. Popullsia e krahinës
ruan një respekt dhe besim të thellë për këtë shenjtore të Krishtërimit. Është kishë me
besim të fortë dhe që është bërë shpëtim për shumë njerëz dhe në shumë breza. Për këtë
kishë ruhen dhe tregohen dhe gojëdhëna, që janë jehonë dhe besim i lashtësisë së saj. Të
moshuarit mbajnë mend, por dhe tradita ruan kujtesën, se tek kjo kishë vinin vizitorë të
shumtë në ditën që i kushtohet kësaj Zoje Shnjëtore. Disa thonë se këtu mblidheshin
besimtar katolik dhe me besim mysliman dhe luteshin, kryesisht gra që kishin probleme
që të lindnin dhe të ju jetonin fëmijët.
Në vitin 1967, kisha u mbyll dhe pas pak kohe ajo u rrenua, sa edhe themelet u punuan
me traktor, u prenë lisat e medhenjë dhe të moçem, gurët e mureve u shpërndanë. Është
fat se dikush nga besimtarët ruajti dy qoshe guri të gdhendur të derës, njëra me Kryqin
dhe tjerta me shenjën e lashtë të praktikuar nga krishterimi në formën X, germë që perkon
me germën e parë të mbiemrit të Jezu Krishtit (Xristo).
Në verën e vitit 2008 filloi puna për rindërtimin e kësaj kishe të vogel, por e madhe nga
shenjtërimi.
Nga viti 1932 kemi një shenim nga At Gjon Karma, për këtë kishë: "Në lagje Gegaj gjindet Kisha e Shna Prendes, me nji lter të herëshem, rrethue me lisa të naltë e të
moçëm. Për Festë të kësajë Shejtneshë ndezin qira' e bajnë edhe darken për miqësi."
Shenjtorët e gdhendur në gur, Shën Nikolla dhe hyjnesha shenjtore e pjellorisë
Në kishën e lashtë të Arst-Miliskaut në Rrethin e Pukës ruhen dy ikona të vje tra të
gdhendura në gur. Gdhendjet e hershme me subjekt fetar dolën në dritë gjatë rindërtimit
të kishës, e cila sot njihet me emrin Kisha e Shëngjonit. Dy ikonat të cilat mendohet se
përfaqësojnë figurën e Shën Nikollës dhe të një Shenjtoreje-Hyjneshë, janë të gdhendura
në gur me modelin tradicional të punimit të drurit. Sipas studiuesit Jaho Brahaj, specialist
në Qendrën e Regjistrimit të Pasurive Kulturore, ikonat paraqesin dy shenjtorë të
periudhës, kur ende nuk ishin kristalizuar rregullat e pasqyrimit të tyre me aeurolë
(brerore). Ruajtja e këtyre dy figurave të lashta religjioze në gur është rast i veçantë, por
kjo shpjegohet me kushtet dhe rrethanat historike dhe të pozicionit gjeografik të kishës në
fjalë. Sipas Brahajt, kisha ndodhet në një fshat i cili nuk është në një pozicion të
favorshëm, asnjëherë nuk arriti të marrë titullin famulli, pra asnjëherë ajo nuk pati një
prift në krye të saj. "Mbahej meshë, ceremoni fetare vetëm në ditën kur vinte pajtori ose
në ndonjë rast kur kishte mundësi të vinte prifti për ceremoni varrimi. Nga
dokumentacioni që njohim, kjo kishë ka ndërruar të paktën tri herë emrin. Në fillim të
shekullit XVII, na rezulton me emrin Kisha e Shna Prendes, në fund të këtij shekulli me
Kisha e Shën Nikollit, ndërsa sot ajo i kushtohet Shën Gjonit", tregon studiuesi.
Biblioteka e qytetit
Zanafilla e bibliotekës së qytetit të Pukës është në vitin 1953, kur shërbente si sallë
leximi; Në vitin 1959 u emërtua zyrtarisht "Biblioteka e qytetit të Pukës" (ish kino- klubi
i qytetit); Sot numërohen mbi 60 mijë libra,nga të cilat mbi 45 mijë janë botime në shqip.
Një vend të rëndësishëm zënë botimet e autorëve pukjanë. Biblioteka pasurohet
vazhdimisht me botimet e reja në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja;
Në vitin 1974 u ndërtua Pallati i Kulturës Pukë, ku gjendet fondi i bibliotekës dhe salla e
leximit. Si aneks më vete është edhe "Biblioteka për fëmijë" e pajisur me një fond të
pasur për lexime nga moshat e vogla. Një vend të veçantë zë edhe "Periodiku",ku mbahen
gazetat e revistat, sidomos ato të para viteve '90 (1968-1991).
AKTIVITETE
Alpinizëm
Alpinizmi është një nga atraksionet kryesore të rrethit të Pukës. Puka ka një ekip
alpinizmi. Nga gjiri i këtij ekipi kanë dalë mjaft alpinistë të shquar. Disa prej tyre kanëmarrë pjesë edhe në aktivitete ndërkombetare, madje njëri prej tyre, Z. Përparim Laci, ka
qenë pjestar i ekipit Shqiptar që është ngjitur në Himalaje në vitin 2004.
Gjueti
Puka është një zonë e njohur për kushte ideale për gjueti. Në sezonin e gjuetisë janë me
dhjetra gjuetarë nga vendi që vijnë për të gjuajtur në Pukë. Vitet e fundit është rritur mjaft
edhe prania e gjuetarëve të huaj veçanërisht nga Italia të cilët vijnë të ushtrojnë pasionin
për gjuetinë në pyjet dhe malet e Pukës Turizmi malor detyrimisht kërkon infrastukturë të
përshtatshme.
Shëtitje
Shëtitje të mrekullueshme mund të realizohen në çdo zonë të Pukës. Gjate qendrimit tuaj
në Pukë ju keni mundësinë të shëtitni në relievin kodrinor e malor të kësaj zone, që
ndërpritet shpesh nga gryka, hone e kanione mahnitëse, pyje të dendura e livadhe, kafshë
e shpendë të egra, përrenj, ujvara e liqene me bukuri të rralla si psh, në Tërbun e LivadhKabash. Këto mjedise turistike mund të shfrytëzohen në periudhën maj-tetor që përkon
me periudhën e thatë kur, megjithë mangësitë e infrastrukturës spostimet me mjete dhe
shëtitjet në natyrë janë lehtësisht të mundura. Është mirë që gjatë këtyre shëtitjeve të
shoqëroheni nga guida vendase (informacion më të detajuar rreth tij do të gjeni në hotel).
Shëtitje në Liqen
Një alternarivë tjetër që meriton vemendje është shëtitja në liqen që realizohet nëpërmjet
varkave të vogla në liqenin e Komanit dhe të Fierzes me gjatësi rreth 98 km. Spektakli
natyror dhe bukuritë joshëse janë shoqërueset e këtij udhëtimi të rrethuar nga shkëmbinj
që bien thik mbi sipërfaqen e ujit. Ngjyra e kaltër në të gjelbër e këtyre ujërave pasqyron
bimësinë pyjore të shpateve.
Speleologji dhe trekking
Gjatë pushimeve tuaja mund të vizitoni shpellën e “Murgjeve” apo sic njihet në gjuhën
vendase shpella e “Kaurrit” rreth 80 m e gjatë e ndarë në dy kate. Ajo çka e bën edhe më
të veçantë këtë shpellë është hyrja nga liqeni. Në hyrje të shpellës mund të shikoni disa
mure të vjetër të ndërtuar nga murgjit.
Ture çiklistike
Ture të ndryshme çiklistike malore mund të zhvillohen përmes lumenjve të kësaj zone.
Janë qindra kilometra që kalojnë përmes panoramave mahnitëse që ofron zona e Pukës
dhe që mbeten në memorien e çdo çiklisti me dëshirën për t’u rikthyer në këto vende e
për të eksploruar rrugë të reja e të paasfaltuara.
KajakThyerja e relievit, pyjet dhe në përgjithësi kompleksi natyror që paraqet Puka me
variacionet dhe kontrastet e tij, mundëson turizmin e aventurës të njohur si tracking. Ky
sport mund të ushtrohet mjaft mirë gjatë stinës së pranverës dhe vjeshtës, kur lumenjtë
janë të rrëmbyer për shkak të shirave dhe dëborës që është shkrirë.
AKOMODIMI
HOTEL "TURIZEM PUKA"
Vendndodhja:
I vendosur shumë pranë liqenit dhe pistës së skive i
rrethuar nga gjelbërimi, HTP Begeja 1900 është resorti
ideal për të kaluar në një ambjent të pastër dhe të qetë pushimet dimërore dhe ato verore.
Shërbimet që ofron:
Akomodim
Dhoma 30, shtretër 62
Çdo dhomë është e pajisur me ngrohje qendrore, TV satellite. Restoranti ofron menu
tradicionale dhe internacionale. Pranë këtij hoteli çdokush mund të shijojë ushqimin
ekologjik dhe birrë bio.
Hoteli ka sallë konference, parkim.
SHTËPI PRITËSE
Përparim Laçi
Vendndodhja: Lagja “Laçaj”, Pukë
Tel : +355 682056472
Shërbimet që ofron:
Akomodim
Dhoma 11, shtretër 34
Lloji i ushqimit: Falë natyrës dhe relievit që ka Hani ofron gatime tradicionale të zonës
si: fli dhe tavë dheu, mish ne gaca, qumësht, bulmet, mjaltë, vezë fshati, kërpurdha, reçel,
fruta të thata dhe tre lloje salcash. Këtu do të gjeni dhe atë çka do ti bënte më të
këndshme pushimet tuaja aktivitet që organizohen, si: shëtitje në pyll, gjueti, shëtitje me
varkë, ski, speleologji, alpinizëm etj.Çmimi 15 Euro/person përfshirë fjetjen dhe të gjitha vaktet.
Zek Curri
Vëndndodhja: Fushe Arrez
Tel: 00 355 684073461
Shërbimet që ofron:
Akomodim: Dhoma 3, shtretër 4
Hani ndodhet ne mes te natyres shume terheqese, ajrit te paster ofron dhe aktivitete te
ndryshme per pushuesit.
Lloji i ushqimit: fli dhe tavë dheu, pite, mish në gaca, mish gici, mish qëngji, mish viçi
dhe mish pule, çervishi me lëng pule, fërliku, laknori, bylmet, reçel i llojeve të ndryshme,
kërpudha, fruta të stinës dhe të thata, raki dhe verë, etj. arra, hithra dhe qepë, prodhime të
ndryshme etj.
Çmimi 16 Euro/person përfshirë fjetjen dhe të gjitha vaktet.
Zef Ndoci
Vëndndodhja: Fushe Arrez
Tel: 00 355 684096400
Shërbimet që ofron:
Akomodim: Dhoma 3, shtretër 6
Hani ofron për pushuesit dhe aktivitete të ndryshme si: shëtitje në male etj. Përveç këtyre
kënaqësinë pushimeve tuaja ua shton dhe gatimi tradicional i zonës si; pite, fli, lloje të
ndryshme frutash të freskëta.
Çmimi 16 Euro/person përfshirë fjetjen dhe të gjitha vaktet.
______
Ky eshte nje publikim i bere edhe ne faqen e K.Qarkut Shkoder
/qarkushkoder.org/
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment