Wednesday, February 8, 2012
Nishani në Pukë për situatën
Një ditë pas krijimit të Shtabit Ndërministror për situatën e krijuar nga i ftohti në vend, ministri Brendshëm, Bujar Nishani është ngjitur vetë në Pukë. Ai ka zhvilluar një takim me Shtabin e Emergjencave Civile atje ku garantoi drejtuesit vendor për gatishmërinë e qeverisë shqiptare për t’u ardhur në ndihmë me të gjitha mjetet e nevojshme për të përballuar këtë situatë të krijuar nga dëbora. Prefektja e Shkodrës, Voltana Ademi në cilësinë e kryetares së Shtabit të Emergjencave sqaroi Ministrin për punen e bërë dhe për situaten e krijuar. Ajo u shpreh se situata më e rëndë është në rrethin e Pukës, ku dëbora ka izoluar disa zona çka ka vështirësuar edhe operacionet për hapjen e rrugëve. “Situata është shumë e vështirë në Pukë dhe komunat e këtij rrethi” u shpreh nënprefekti i Pukës, Prenk Perndoj i cili kërkoj ndërhyrje me mjete dhe me logjistikë për të zhbllokuar situatën e krijuar, pasi sipas tij mjetet e vëna në dispozicon nuk janë të mjaftueshme. Për gjëndjen e akseve rrugore në këtë rreth foli Drejtori Rajonal i Rrugëve, Nesti Kiri i cili bëri një panoramë të gjendjes aktuale dhe vështirësive, që kjo ndërmarrja ka hasur gjatë gjithë këtyre ditëve. Ministri i Brendshëm, Nishani dëgjoi edhe kërkesat dhe problemet e gjithë drejtuesve të njësive të qeverisjes vendore në rrethin e Pukës. Zona e Pukës në këto ditë të acarta po përballet me vështirësi të mëdha si shkak i deborës, dhe erërave të fuqishme që fryjnë në zonë. Procesi mësimor është pezulluar për disa ditë edhe në qytetin e Pukës, pasi trashësia e dëborës është rreth 1 metër dhe lëvizja është shumë e kufizuar. Ndërkaq kemi zona të tëra të bllokuara. Si Komuna Iballë, Kryezi, Qelëz, Fierz. Akset rrugore në drejtim të Shkodrës janë të hapura, ndërkaq nga orteqet vazhdon të mbetet i bllokuar aksi Fush Arrëz-Fierz në Qaf të Malit. Situatë problematike në këtë zona paraqet edhe furnizimi me energji elektrike.
_____
Burimi: abcnews
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment