Monday, May 13, 2013

Në Sharrat e Fushë – Arrëzit, aty ku kontribuan shumë specialistë të njohur pyjesh.

Nga: Qamil Brahimi*

Në këtë përvjetor të shërbimit pyjor shqiptar, e ndjeva si një detyrim moral për të veçuar diçka nga veprimtaria e specialisteve të pyjeve që kontribuan në ndermarrjën më të madhe në vend në sektorin e shfrytëzimit të pyjeve dhe përpunimit të drurit, në atë që njihet si Sharrat e Fushë- Arëzit (NPD Fushë – Arez). Kjo ndërmarrje, ndër më kryesoret në vënd, ka pasë një veprimtari të gjerë që fillon me shfrytezimin e pyjeve, prodhimin e lendës sharruar, prodhim mobiljesh, distilim rreshirë dhe që e mbyllte ciklin me prodhimin e pllakave të fibrës. Duke qënë e një rëndësie të till sigurisht dhe numri i spcialistëve të pyjeve ka qënë i madh. Nga vitet 1950 deri në vitet 1993 kur kjo ndërmarrje pushoj së funksionuari janë me dhjetra specialistë pyjesh që punuan dhe lanë gjurmë tek njerëzit dhe ekonomia pyjore e rrethit Pukë. Në se duhet të bëj një vlerësim të përgjithshem të punës dhe arritjes në shfrytëzimin e pyjeve, mund të përmendim një fakt: Në vitet 1990 thuajse e gjithë sipërfaqja e pyjeve te Pukës e përshkuar me shfrytëzime, kishte arritur të ripërtrihej në mënyrë natyrore në masë mbi 98% të sajë. Le të sjellë në vemendje; seminarin kombëtar të vitit 1988 në Lak-Hithi, ku- për tu njohur dhe parë këto rezultate të mira kishin ardhë drejtues dhe specialiste të pyjeve nga i gjithë vendi. Ndoshta kjo qe dhe veprimtaria e fundit e organizuar dhe që ju kushtua ripertritjes natyrore të pyjeve. Inxhinierët e pyjeve në shfrytezim së bashku me ata të Ndërmarjes pyjore, në veprimtarinë e tyre 40 vjecare kishin realizuar qellimin kryesore në trajtimin e pyjeve: krijimin e masiveve të rinjë si rezultat i ripertritjes natyrore të pyjeve. Pa pasur si qellim të bëj një histori të sharrave të Fushë – Arëzit, ndonse e meritojnë një të tillë, kam deshirë të sjell në vemendje të lexuesit, të brezave më të rinjë të pylltarëvë, disa nga specialistet e pyjeve që kantribuan në fillimet e veprimtarisë së tyre në këtë ndermarrje, pastaj hap pas hapi kontributi i tyre rroki më gjërësisht, funksione e fusha të ndryshme në pylltarinë shqiptare.
Ne memorie te sharretareve te vjeter rezulton; se si teknik i mesem pyjesh ne Sharre ka punuar z. Bajram Xheko diku nga mesi i viteve 1950. Emer i njohur ne pylltari, sidomos ne nivelin e mesimdhenjes dhe si dekan i Fakultetit te Pyjeve per disa vite.
Së pari përmënd të ndjerin inxh. Ylli Gusho, i cili mund të quhet si “pionier i mekanizimit të shfrytezimit të pyjeve” ai shkeli në pyjet e Pukes në vitet 50-60 të shekullit të kaluar. Veprimtaria e tijë veçohet në projektimin dhe montimin e teleferikëve pyjor. Që nga ajo periudhë, sharrat e Fushë-Arëzit u bënë dhe mbetën një shkollë e madhe për këtë lloj transporti dhe për zhvillim të teknologjisë së shfrytezimit të pyjeve në përgjithësi.
Më vonë një grup inxhinieresh erdhen në Fushë-Arëz, si: Vito Koçi, Mihallaq Kotro, Pavllo Konomi, Fenelon Hoxha, Nebi Koka, Fredi Marjani, Xhemil Agastra, Nikolin Noshi, etj. Secili arriti të krijojë dhë të vendos një gur themeli në teknologjine e shfrytezimit të pyjeve. Inxhinier Vito Koçi, një personalitet i shquar i pylltarisë shqiptare, ndonse erdhi për denim (arsye biografie), punoi me perkushtim të veçante si kryeinxhinier për më se 15 vite. Ai vlerësohet si njeri ndër projektuesit dhe realizuesit e qytetit të sharrtarëve të Fushë-Arëzit. Ai është dhe njëri nga projektuesit e fabrikës Fibrës Fushë-Arëz. Pas largimit nga Fushë-Arsi, ai, për shumë vite punoi në lidhjen e shkrimtarëve si redaktor dhe botues i letersisë shqipe. Ai ka ndërruar jetë rreth viteve 2000. Pa mohuar punen dhe kontributin e secilit , do të veçoja nga ky grup ing. Mihallaq Kotron, që në shumë punëtorë të sharrave njihej dhe me emrin “Mihal”. I përkushtuar pas profesionit dhe i dashur me puntoret do ta gjeje kudo në cdo sektor nga Kaçinari në Lak-Hithi, në Tuç, në Iballe, etj. Ai punoi dhe hodhi bazat për një normim teknik të punimeve në shfrytezimin e pyjeve. I vlerësur për rezultatet shumë të mira si student dhe për veprimtarinë e tijë në prodhim, inxhinier Mihallq Kotro pas rreth 5 viteve, nga Fushë-Arëzi do të shkonte si pedagog në Fakultetin e Pyjeve Tiranë. Atje ne vitin 1977 e gjeta dhe une si pedagog, për ne studentet nga Puka kishte nje intresim te vecante. Ai dallohej si një nder pedagogët e me të përkushtuar dhe më komunikues me studentet, të cilet i mësonte dhe i mbeshteste. Ai do të kulmonte në veprimtarinë e tijë si dekan i ketij fakultetit ne dy periudha, sot ka titullin e lartë Profesor. Mihallaq Kotro është një emër i spikatur në pylltarinë shqiptare dhe në shumë breza studentesh do kujtohet gjatë. Po kështu koleget Pavllo Konomi e Fredi Marjani nga Fushë-Arezi do të transferoheshin si drejtues e specialiste ne në Byronë e Studimeve dhe Projektimit të Druri në Tiranë. Inxhinier Fenolon Hoxha, në mesin e viteve 90, ka qënë Drejtor i Pergjithshem i Pyjeve dhe Kullotave.

Janë një brez tjeter specialistësh që do të vinin të punonin në Fushë-Arëz, si:Palush Alia, Fadil Morina, Gasper Uldedaj, Prengë Vorfi, Fran Gjoci, Mark Zefi, Gjergj Preka, Idriz Furriku, Skender Halili, Tonin Ndrekaj, Lukë Gjini, etj. Puna dhe veprimtaria e tyre do të përqendrohej kryesisht në sektorët e shfrytëzimit, si drejtues stabilimentesh dhe teknolog prodhimi. Inxhinieri Palush Alia për disa vite ishte kryeinxhinier dhe drejtor i NPD Fushë-Arëz. Ketij brezi i takoj te merrej me rikonstruksionin e stabilimentit te Fushe-Arezit, me instalim të teknologjive të perparuara në prodhim dhe manipulim të lendës sharruar.
Nese mund ti grupojmë si brezin e më të rinjeve dhe të fundit të periudhes 1980-1990 dhe kur sharrat e Fushë-Arezit e nderprenë veprimtarinë e tyre si ndërmarrje shtetërore janë: Prengë Prenga, Ndue Çuni, Qamil Brahimi, Gezim Shkjau, Gjon Fierza, Avdulla Hasani, Vath Tabaku e Palokë Prela. Një brez që kishin mbaruar studimet me rezultatet mjaft të mira. Me përkushtim ndaj profesionit, ata sapo erdhen në prodhim, dijet e tyre teorike synonin ti vinin në jetë. Vlen të kujtoj një komunikim dhe bashkepunim tepër të ngushtë midis nesh në ato vite. Problemet dhe hallet që i kishte njeri nga në në sektorin e tijë, përpiqeshim ti zgjidhnim së bashku. Prengë Prenga filloi si specialist në mobileri, pastaj si drejtuesi i parë i fabrikës Fibrës dhe së fundi si kryinxhinier e drejtor i NPDrurit do të linte gjurmë, do të binte në sy si specialist i aftë dhe drejtues i zoti. Pas angazhimit per disa vite në pushtetin vendor, me vone ai do të drejtonte edhe DSHP Puke. I vlerësur për aftesitë e përkushtimin e tij, më pas do të kalonte në detyra të rëndesishme në në Drejtorinë Përgjithshme të Pyjeve dhe Kullotave, si drejtor i Policise Pyjore, në MMPAU si shef sektori ku punon dhe sot. Inxhinier. Ndue Çuni si koleg bashkëstudent, vlen ta kujtoj për novacionin dhe perkushtimin në përmirësimin e transportit me teleferikë. I apasionuar pas elektronikes dhe mekanikes, me shumë dije të fitura në këtë fushë, ai në vitet 1985-1986, pasi nje pune studjuese dhe projektuese, arrinë të eksperimentojë një vagonetë automatike e cila kishte mjaft epërsi në krahasim me vagonetat në teleferiket Vyssen të kohës. Vagoneta ndalohej në cdo pikë të litarit mbajtës çka e lehtësonte së tepermi transportin me teleferik. Ing. Ndue Çuni në fillimet e levizjes demokratike u perfshi në politikë në detyra të ndryshme si drejtues i këshillit të rrethit Puke, zv kryetar Bashkie, më pas deputet i Kuvendit të Shqiperisë. Sot ai punon në Institutin e Statistikave Tiranë si shef i sektorit të Bujqesise dhe Mjedisit. Për inxhinieret e Tuçit; Gjon Fierza e Vath Tabaku, sjell ne vemendje të atyre viteve; punën e tyre në stabilimentin e Tuçit dhe në degen Teknike. Ata me profesionalizem studjuan, projektuan dhe mundesuan futjen në shfrytezim të ekonomisë Pyjore Munellë. Pas një periudhe rreth 12 vjecare si inxhinier në Tuç në Degën Teknike , Gjon Fierza pas vitit 93 do të transferohej në Lezhë dhe më vonë në Tiranë. Ai do të punonte si specialist në sherbimin pyjor, konsulent në disa projekte ndërkombëtare. Mund ta veçoj atë, si specialist pyjesh që është marrë gjerësisht me fushën e informimit, sensibilizimit dhe ndërgjegjësimit publik ne kuadrin e Projektit te Pyjeve, më vonë ai kalon si shef i seksionit të Silvikuturës dhe Burimeve Pyjore në DPPK, si specialist në MMPAU dhe tani vazhdon si shef seksioni në DSHP Tiranë. Ajo që do të veçoja për këtë kolegë është përkushtimi i tijë për të shkruar për pyjet dhe pylltarët, promovimi i vlerave dhe problematikes së shërbimit pyjor. Ai perveç se dhjetra artikujve në gazeta të ndryshme, si autor dhe bashkautor, ka realizuar disa botime librash me vlerë në fushën e pylltarisë. Ketë veprimtari tashmë po e kulmon me sukses dhe në botimin e ketij historiku të Shërbimit Pyjor Shqiptar duke bashkëpunuar me kolegun dhe bashkoheshin e tij Kole Malaj. Inxhinieri Vath Tabaku pak me i ri në moshë nga ne, e kujtoj për kompetencën profesionale, fitim të shpejtë të shprehive praktike në punë, të matur e fjalë pakë, shpejt arriti të fitojë repektin e puntorëve dhe të kolegëve. Vathi, me këmbëngulje dhe përkushtim që në ato vite ai studionte per kualifikimin profesional, ku mori provimet pasuniversitare me rezultate shumë të mira. Nga Fushë – Arëz, ai në gjurmët e profesor Mihallaqit, projektoi të ardhmen e tij duke shkuar si pedagog, zv dekan dhe duke arritur si dekan i Fakultetit të Shkencave Pyjor ne dy periudha, ai tashme ka fituar titullin e profesorit. Sot, Vath Tabaku, kontribuon në politikë si Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i vetmi specialist pyjesh në këtë legjislaturë. Pra nga gjashte dekane te Fakultetit te Fakultetit te Pyjeve, tre prej tyre punuan ne Sharrat e Fushe-Arezit. Po keshtu dhe ne Institucionet e tjera te Pylltarise shqiptare, emrat e specialisteve te shfrytezimit te pyjeve, vlerësohen per profesionalizem dhe kontribute reale
Me mirënjohje dhe respekt mund të ndalesha me kujtime tek cdo kolegë që ju permënda emrat dhe të tjerë që nuk më kujtohen, të cilët padyshim kanë kontribute dhe vlera për punën në Sharrat e Fushë-Arëzit dhe në Sherbimin pyjor apo detyra të tjera që dhe sot punojnë. Duke i përmbyllur këto kujtime them se në Ndërmarrjen Shfrytëzim Përpunim Drurit Fushë-Arëz, te njohur me emrin Sharrat e Pukes, punuan dhe kontribuan shumë inxhinierë pyjesh nga cdo skaj I Shqiperise, ndjehem i nderuar që unë punova gjata me shumë prej tyre, ata kanë mbetë në memorjen tonë dhe të sharrëtarëve pukjanë. Ata zënë vend të nderuar në armatën pylltarëve shqiptare. 


*Inxh. Qamil Brahimi
DSHP Pukë - Shef i seksionit te Policisë Pyjore

Qamil Brahimi, ka lindur ne fshatin Kulumri Pukë me 03.07.1956. Jeton ne Fushë-Arëz
Ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Pyjeve në vitin 1982
Në 1983-1985 pergjegjes sektorin shfrytezim pyjesh ne Sakat,
Ne 1985-1990 kryetar i Deges se cilesise se NPD ,
Ne 1990 -1994 teknologe dhe pergjegjes i Repartit te lendes se sharruar ,
1995-2001 specialist ne DSHPyjor Puke
2001- vazhdim, Shef i seksionit te Policise Pyjore në DSHP Pukë

________
Burimi: inxhinier Qamil Brahimi ne DSH.Pyjore Fushe-Arez, Janar 2013 me rastin e 90 vjetorit te  Sherbimit Pyjor Shqiptar

No comments:

Post a Comment