Monday, November 25, 2013
Frange Curri, malësorja e viteve ‘30 me 2 gjuhë të huaja
Frange Fran Curri ishte një grua që rrallë i gjendet shoqja edhe sot. U lind në Kallmet të Lezhës më 1900. Afër shtëpisë saj ishte një manastir, i ngritur nga një fondacion austriak në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Aty jetonin disa murgesha, të cilat i afruan vajzat e fshatit dhe u mësuan atyre jo vetëm shërbesat fetare, por, përveç gjuhës shqipe edhe gjuhë të tjera. Franga, që e vogël, u bë një “murgeshë” e bindur dhe nxënëse e shkëlqyer. Aty vinte e jepte mësim edhe poeti i madh Gjergj Fishta.
Franga sikur ia përpinte vargjet e këngëve epike të Lahutës së Malcisë, po thuaj i mësonte menjëherë përmendësh. Murgeshat si shpërblim për mbarimin shkëlqyeshëm të shkollës, i dhanë një makinë qepëse ”Singer”.
Në shkollë në manastir kishte mësuar edhe për prerje dhe qepje rrobash. Nga murgeshat kroate mësoi edhe gjermanisht e italisht. Shumë rrallë në ato vite kishte femra që dinin gjuhë të huaja në qytet, ndërsa në fshat as që mendohej. Rruga e jetës e solli në familjen e Nikollë Currit të Fushë-Arrëzit të Mirditës,një shtëpi e njohur për bujari, besë e trimëri( tash e përfshinë rrethi i Pukës). Por pati pak ditë të lumtura, sepse burri i saj Ded Nikolla, sapo u kthye nga Shëngjini në Fushë-Arrëz, ish helmuar dhe vdiq. Ato ditë Franga kishte lindur djalë, të cilit ia vunë emrin Pjetër, sepse kishte lindur në maj. Në këto rrethana, nusja e re, Franga, mbeti e ve. Një dramë e madhe në shpirtin e jetën e saj, nuk e mposhti. Vendosi që të rriste të birin.
Edhe ky ishte një rast i rrallë që një femër e re të ngryste jetën, duke rritur një jetim. Me gjithë kërkesën e burrave të shtëpisë që Franga të kërkonte fatin e saj sërish, ajo u betua se sa të rrojë, unë jetën ia kam falë një burri që nuk e kam ma, por kam kujtimin e tij: fëmijën. I lutem zotit të ma rritin. Gjithë jeta ime do t’i kushtohet djalit tim… Vjehrri, Nikollë Curri, një burrë i njohur për mirë në Pukë e në Mirditë e më gjerë, e pajisi nusen e djalit të vdekur me një revole me mulli. Përdorimin e armës ua kishte mësuar edhe katër djemve edhe Frangës baba Fran që kur Franga ishte vajzë në Kallmet të Lezhës. Jo rrallë gratë mirditore mbanin armë. Jeta e vështirë, e shpesh e mbetur edhe zot edhe zonjë shtëpie, i ka detyruar ato që të mësonin e të përdornin edhe armën, si dhe të gjitha punët e bujqësisë e të blegtorisë.
Ja disa ngjarje të tjera të rralla gjatë jetës saj, që e shquajnë Frangën nga shoqet e tjera të kohës:
Më 1925, në shtëpinë e Nikollë Currit vijnë xhandarët e qeverisë së Zogut për ta çarmatosur dhe arrestuar. Franga hyn në dhomën e burrave e veshur me të zeza. Në brez mbante revolen me dorezë argjendi. Xhandarët u shtangën. Menduan: kur edhe gratë janë armatosë, edhe burrat e kanë vendosë për të vdekë , atëherë ne nuk kemi çka të bëjmë këtu…. Vrasja nga gruaja është turpi më i madh për një burrë. Xhandarët, të frikësuar u larguan dhe nuk e cenuan më shtëpinë e Nikollë Currit.
Më 1934, Franga Curri, kjo grua burrneshë, po shkonte në fshatin Bushat të Pukës për festën e Pashkës. Atje kishte të martuar vajzën e kunatit, Zekë Currit, Gjelën, të cilin e kishin vrarë austriakët më 1918. Kësaj vajze i kishte vdekur edhe e ëma. Franga e kishte rritur, e kishte martuar dhe e donte si vajzën e saj, prandaj shkonte për ta parë jo rrallë. Para se të arrinte në fshat, ku kjo vajzë ishte e martuar, dikush i thërret Frangës me sa fuqi kishte: Oj zojë, oj burrneshë, të kam ra në besë tande e të Zotit, se më kanë zanë pritë në tana anët e po më vrasin.
Franga nxjerr revolen, qëllon në ajër dhe bërtet :”Ky burrë asht në besë të Nikollë Currit të Mirditës. E njihni, besoj. Asht edhe në besë time. Jam edhe unë mirditore e martueme në shtëpi të Currit. Mos e prekni se bini në gjak të Nikollë Currit dhe në gjak të Kallmetit të Lezhës…”.
Burri ngrihet dhe vazhdon rrugën. Shpëton. Në pyll u dëgjua zhurma e gjakësorëve. Ky ishte Nikollë Pjetri, nga Bushati i Pukës. Jetën e tij të dytë, Nikolla ia detyron qëndrimit burrëror të Frangës. Ky ka vdekur nga pleqëria në vitin 1968.
Me 1943, në shtator të këtij viti nëpër Fushë-Arrëz kaluan gjermanët. Zbriten nga makinat dhe hynin nëpër ara, korrnin misrin, hiqnin barin nga mullari, i zbritnin në rrugë dhe i ngarkonin në makina(2). Fshatari Ndrek Laska, kojshi i Currajve, del me kmesë në dorë e bërtet. Gjermanët e lidhin për një pemë dhe i drejtohën për ta vrarë. Ndërkohë, Franga, që ndodhej në oborr, e sheh ngjarjen dhe bërtet: “Nain, Nain”. Mos. Mos,jo, jo. Ka pesë fëmijë dhe i vdesin urije po t`u merret drithi…” dhe vazhdon të flasë gjermanisht ashtu siç dinte. Gjermanët shikojnë lart, kuptuan diçka. E çlidhnin Ndrekën, kaluan kodrën dhe vazhduan operacionin në lagjen Dedaj. Ndreka ia detyron jetën e dytë edhe të fëmijëve të tij Frange Fran Currit.
Me 1937-1967, Frange Currin e patën zgjedhë kryetare të këshillit të grave të Fushë-Arrëzit më (1937), kohë kur kishte filluar një lëvizje emancipuese, për të cilën Migjeni tallet në skicën: “Të çilen arkapiat…”(3). Edhe pas çlirimit e ka kryer këtë detyrë deri më 1967, pra për tridhjetë vjet, në një kohë të shndërrimeve të mëdha edhe të vajzave dhe të grave në të gjitha fushat.
Ishte një grua e rrallë, e arsimuar, bile fliste edhe gjermanisht e italisht ; ishte grua e zonja, e ditur, punëtore. “Çka i shihte syri, ia bënte dora”. I mësonte gratë fshatit sesi duhet mirëmbajtur shtëpia, si të rritet dhe të edukohet fëmija etj. Kur qe martuar, patë sjellë si “pajë” edhe makinën qepëse “Singer”, që e kishte dhuratë nga manastiri i Kallmetit.
Ajo u bë një prestare dhe rrobaqepëse e zonja. Emri i saj u përhap në Pukë dhe në Mirditë, sepse edhe ishte rasti i parë që në Fushë-Arrëz e ndoshta edhe në gjithë fshatrat e Pukës e të Mirditës, të kishte ndonjë shtëpi makinë rrobaqepësie. Kur shkonte në kishë për shërbesa fetare, shikonte me vëmendje të veçantë dekorin e veshjeve të grave mirditase e pukase. Me fantazinë e saj ruante e pasuronte traditën e veshjeve të krahinës. Shumë nuse pukase e mirditase kanë veshur rrobe të qëndisura me mjeshtëri nga Frange Curri (4 ).
Më 1952. Kur po hapej Rruga e Dritës për ndërtimin e hidrocentralit mbi lumin Mat, asaj iu ngarkua detyra e komandimit të brigadës të grave pukjane. Këtë detyrë e kreu me përgjegjësi dhe, kur, u kthyen nga aksioni, erdhën me flamur, sepse kishin punuar mirë. Franga Curri ishte edhe mjeke popullore. Ajo kishte marrë një bimë në Prizren, ku patën shkuar familjarisht në vitet 1921-1925 (5). Barin e kishte mbjellë në oborr. Me të bënte një pomadë për shërimin e sëmundjeve të lëkurës. Bari është edhe sot në kopshtin e nipit të saj Lekë Curri.
Shumëkush e uronte këtë mjeke popullore për melhemin, me të cilën ka shëruar sëmundje lëkure. Në atë kohë edhe këto lloje sëmundjesh kanë qenë mjaftë të përhapura. Këtë shërbim e bënte falas, duke kryer një vepër humanitare. Edhe sot Franga është një model i mirë për njerëzit e shëndetësisë, disa prej të cilëve përpara të “kontrollojnë xhepin, e pastaj sëmundjen…”, sipas një parimi të çuditshëm: Sa të kem xhep, doktori me thotë: shëndet…
Franga dinte shumë këngë popullore të mësuar në shkollë, por edhe nga jeta. Kishte prirje të veçantë për t`i mësuar përmendësh, si ato epike-legjendare, historike (nga Lahuta e Malcis),por edhe lirike, këngë të buta etj.
Ajo me këngët e shumta që dinte ka dhënë mësimet e para të edukatës patriotike, por ka vënë në gjumë, jo vetëm djalin e saj, Pjetrin, por edhe të shtatë fëmijët e djalit. Në vitet gjashtëdhjetë e shtatëdhjetë mësuesi Ndue Çun Lushaj ka mbledhur nga rrethi i Pukës e Mirditës shumë nga kultura popullore. Frange Curri ishte një burim jo vetëm i shumë këngëve por edhe i disa ndodhive të hershme( 7). Frange Fran Curri u shua në vitin 1975, duke lënë pas një emër të nderuar e të respektuar për pukjanë e mirditorë që e kanë njohur në punë e në jetë.
__________
Autor: Ismet Balaj
Burimi: pukatv.tv
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment