Thursday, November 21, 2013

PUKA NË LUFTË PËR LIRI E PAVARËSI DHE DËSHMORËT E SAJ

PERIUDHAT KRYESORE TE LUFTES SE PUKES PER LIRI E PAVARESI 
(Në  kuadrin  e  kryengritjes  së përgjithshme  antiosmane 1912)

Mars,  prill e maj 1912 krenë të bajraqeve të Pukës,  të nxitur edhe prej dom Gasper Thaçite Zenel Mustafë Agës u besatuen me “Besën e Bajrakve“, “ Beslidhjen e Shtatë Bajrakve”  për çlirimin  e gjithë  krahinës së Pukës prej sundimit osman;
- Besatuesit kryesor qenë: Zenel Aga, Bibë Ndoja, Palush P. Markaj e Frrok Kolë Pemati Iballe; Marash Marku e dom Gasper Thaçi, Qelëz;  Halil Musa e Hasan Neziri Kabash; Frrok Kolë Gjoni Qerret; Frrok Kolë Rexha e Qerim Sokoli  Bugjon; Prend Uka, Ndrekë Markiçi, Pal Ndou e Mhill Shpendi Berishë;  Salih Aga i Malziut, Marash Ukë Delia i Kokdodës; Ndre Nika e Sadri Sheqeri, Dardhë; Kolë Mar’ Vata i Dushit; Zef Nikolli i Kçirës, Keqan Qerimi iTrunit, Selman Laçi i Mdhojës etj.
-  Maj  1912,  Kuvendi i Shtatë  Bajrakëve të Pukës, mbledh  në Tmug të
Midhës, vendosi  Besëlidhjen e kryesinë e saj, me prijës Zenel Agën;  – 12 qershor 1912 Besatuesit e  Pukës, mblidhen  te  kisha e  Qelzës,
ku vendosën 29 qershorin, sulmin mbi garnizonin osman, në qytezë Pukë;
KATËR muaj para Shpalljes së Pavarësisë, që prej 25 korrikut 1912, viset
e Pukës ishin plotësisht të lira prej sundimtarëve osman dhe
vetëqeveriseshin prej krenëve  tradicional vendor;
-TRI herë: 29 qershor, 21  gusht e 7 shtator  1912 është sulmuar garnizoni i qytezëz Pukë  prej  afro 400 kryengritësish  të viseve të Pukës,  prej djelmnisë së Besëlidhjes deri sa u çlirua përfundimisht më 7 shtator 1912.
-  Përfundimisht,  më 7 shtator, afro TRE muaj para ngritjes së Flamurit në Vlorë, çlirohet edhe qyteza e Pukës,  baza e fundit e garnizonit turk në  viset e Pukës dhe më 8 shtator  1912, mbi gërmadhat e ish-garnizonit  të qytezës së Pukës,  aty ku më parë ngrihej flamuri osman u ngrit Flamuri i Bajrakut  Pukë  ( i Terthores ) prej atdhetarit të shquar Halil Musës;          

PUKA  NË  LIDHJE  ME  KOSOVË  E  MIRDITË  PËR  LIRI  E  PAVARËSI
Puka, krahinë gjeografike mbi udhët që lidhnin bregdetin Adriatik e Shkodrën me Kosovën dhe në lidhje të ngushta me ta si edhe me Mirditën, ishte në dijeni të ngjarjeve politike, të forcimit në rritje të përpjekjeve për Liri e Pavarësi. Prej qiraxhijsh, malësorë që shkëmbenin mallërat e tyre në fruta, pishë e pezhve në Gjakovë, ku blenin misër e grurë, si edhe  tregtarë prej Kosove e Shkodër me lëvizje-lindje Perëndim vinin lajme si:
“ Në maj u sulmue Gjakova e Peja”, “ 21-25 maj zhvillohet Kuvendi i Junikut”  Kosovë për një program  të përbashkët mbarëshqiptar:
“ 31 maj sulmohet e çlirohet Peja”.
Po kështu vinin lajme prej Shkodre e Mirdite:
“ 29 maj 1912 Gjeto Coku me malsorë  sulmoi Lezhën.”
Kjo situatë e nderë politike përreth viseve të Pukës nxiste edhe krentë e bajraqeve dhe udhëheqësit e komitave,  që në grupe të vegjël qarkullonin në mbarë krahinë, sidomos brigjeve të Drinit të Iballës e të Berishës, që bashkoheshin në një organizim të përbashkët të Shtatë Bajrakëve të Pukës. Mark Frrok Bajraktari në librin e tij :”  Coptimi i Shqipnisë dhe kryengritja e Pukës 1911-1912,”  botuar në Kanada, më 1967, shkruan se, që prej vitit 1910 e në vazhdim, me ndonjë ndërprerje gjatë dimrit, komitat ishin në më se 11 çeta komitash, si në Berishë, Bugjon, Fierzë, Mëzi, Trun,  Flet, Dush etj.  me 7 deri në 8 veta secila.   “Trimat e Kosovës na i çojshin zemrat peshë  e na shtyjshin me u shpejtue për  Beslidhjen e Shtatë Bajrakëve, -tregonte Marash Mëhilli i derës së
Bajrakut të Berishës, pjesëmarrës në Kryengritjen e 1913, 23-vjeçar aso kohe. – U caktue tubimi i krenëve dhe  prijsave të djelmnive dy të diela para Shpalit te kasha e Shpalit,  Qelez, kinse për meshët e  festes së Shpalit për mos me ra në sy  të Turkut. Si u çue mesha, Zenel Aga u foli për  qëllimin që kishte ky kuvend burrash për besatim, për BESLIDHJEN e Shtatë Bajrakëve. Kuvendi njizani thirri: “ PER BESLIDHJEN, BURRA! Dita e sulmit nuk u shpallU la që me 28 qershor të vijshim për festën e Shpalit dhe atë natë do të caktohesh  se kur do të msyhej  Puka, kryeqendra e Shtatë Bajrakëve. Kjo u tha kështu me qëllim që  të mos zbulohesh prej anmikut dita e msymjes, që t’i kapshim turqit në befasi, se kështu e kishim ma kollaj luftën me ta.
            29 QERSHOR 1912,  SULMI I PARË MBI GARNIZONIN TURK
 Parsia e Beslidhjes u kujdesue me sa mundi që populli të armatosesh. Të siguroheshin sa ma shumë armë e fishekë për sa ma shumë malsorë, por ishte e vështirë  të siguroheshin  qindra armë e fishekë kur shumë malsorë nuk kishin me çka t’i blejshin. Kurse, forcat turke kishin armët e kohës:  “manxerre  mbreti” e fishekë me shumicë. Bile edhe mitraloza e topa.
      U ba e si u ba dhe nja 400 burra u mblodhën Naten e Shpalit , me 28  qershor, nëpër Qelzë:  Breguminë, Mardhnaq, Koderbojë dhe Dedaj, ku lutej Shpali. Parësia çoi fjalë se  Diten e Shpalit nuk çohet meshë se” do të sulmojmë Puken”.
 Sapo dolëm në  Fushpukë, disa prej djelmnisë sonë morën zemër  e thirren me sa za kishin: “ N’ tabe, burra, t’i kapim me dorë, me dooorë!” Atëhere krejt djelmnia u çue pergjysë në kambë me armtë zjarr e hyxhym mbi istikame, me thirrmen të gjithë bashkë sa ushtoi vendi: “ Me dooor, buuurra!” Po nuk ishte punë që bahesh, se ushtria kishte xanë vend mire.  Ishin krejtësisht të mbrojtun. Po edhe djelmnia e Besëlidhjes nuk donte të kthehej mbrapa. Donte të hynte  në istikam. Në atë sulm u vra Jak Marka Ndreca i Qelzës, që kishte mrri deri afer tabeve të ushtrisë, ku mbet i vramë. Turqit mrritën me ia pre kryet e me ia marrë
në istikamin e tyne. Pak ma larg u vra edhe  shoqi i tij prej Qelze, Mhill Marashi. Po djelmia e Qelzes me pushkët zjarr e të mbrojtun prej djelmnisë së Berishës  e të Bugjonit, i mberrthei turqit mbas istikamit dhe mundi me terhjek trupin pa krye të Jak M. Ndrecës dhe trupin e papremë të Mhill Marashit e t’i varrosshin ma vonë te kisha e Qelzës. Në mbrojtje të djelmnisë së Qelzës, ranë të plagosun rand: i biri i bajraktarit të Bugjonit, Rexh Frroku e bashkë me ta  Ndue Kukeli,  prijs i djelmnis së çetës së vet.
   Atëhere, Ndoc Mar’ Deda me Mark Kolikun që na prijshin  ne të Berishës na thanë të tërhiqna.” Jemi terheq deri kah gjysma e kodrave të Dedajve. Aty me çetën e vet Ndoc Mar’ Deda bashkë me Mark kolikun shpëtuan të plagosurit.
Kajmekami i Qytezës së  Pukës vendosi të hakmerrej kundër Prijësve pesë ditë pas tërheqjes së malësorëve. Kështu, më 4 korrik vetë kajmekami udhëhoqi forca xhandarmërie e ushtarë që sulmuan në befasi Kabashin, ku grabitën e dogjën shtëpitë e Halil Musës e të Hasan Nezirit bashkë me stanin e Avdi Musës në lagjen Klos. Prej Klosi ranë në Qelzë, ku grabitën e dogjën shtëpitë  e Marash Markut, Deli Nikollit, Frrok Nikës e Nikollë Gjergjit. Në Qerret të Vogël grabitën e  dogjën shtëpinë e Frrok Kolë Gjonit.  Edhe mbas këtyne ngjarjeve  lëvizja e përgjithshme nuk u shua. Ajo u përgjithësua. ( Burimi kryesor është shkrimi i Kolë Bibë Mirakës,  Kryengritja e Pukës rreth vitit 1912.  Revista  “Hylli i Dritës”, Shkodër, 1937, Nr. 10, f. 459-468.)
Pas kësaj  “ fitoreje “, kajmekami, i mbështetur edhe prej disa forcave shtesë që i erdhën prej Shkodre, mori zemër dhe vendosi ta vazhdonte ndëshkimin në Midhë, Berishë, Iballe e Brigje. Po Prijësitë e Besëlidhjes vendosën për një tubim, kuvend, në Tmug të Midhës më 11 korrik. U muar vendim që Midha  të bëhej qendresa kryesore dhe e fundit kundër  forcave turke. Në ndihmë të Midhës  do të  shkonte Bajraku i Berishës, Bajraku i
Bugjonit, Bajraku i Iballës dhe Bajraku i Terthores, ku dihej të thyhej forcave kryesore osmane . Midha qëndroi heroikisht edhe pse pësoi humbje të mëdha.
Me humbjet e rënda në Midhë ushtria osmane  u  përmblodh në Pukë, në pritje të një sulmi të dytë. kurse Parësia e Besëlidhjes mori masat përgatitore për sigurim armësh e municion dhe të sulmonte mbi garnizonin e Pukës, qendra e vetme e mbajtur prej turqve në Shtatë Bajraktë e Pukës. Për Besëlidhjen  tani ishin krijuar kushte të reja lehtësuese, se Kryengritja e Përgjithshme kishte fituar në Kosovë dhe më 9 gusht kryengritësit kosovarë  kishin hyrë në Shkup.
U ftuan në Shkup përfaqësuesit e të gjitha krahinave.  Puka do të shkonte bashkë me  Mirditën me prijës Gjon Marka Gjonin. Në telegramin e konsullit të Austrohungarisë, Prizren, 16 gusht 1912, i telegrafohet Vjenës zyrtare se “ …kapiteni i Mirditës kaloi këtu (në Prizren ) për në Shkup duke pasë një përcjellje të madhe…kështu pesë  nga Mirdita, tre nga Kthella, kater nga Malësia e Leshit, shtatë nga PUKA, nji nga Kurbini, shefi i  tre bajraqeve të Kurbinit, dhe që të gjithë me përcjellësit e tyre.”
                 Prej këtu del qartë se  Puka ka dërguar shtatë përfaqësuesit e vet për Shtatë Bajraktëe Pukës me shoqëruesit e tyre. Kjo pjesëmarrje e përfaqësuesve  të Pukës në Shkup u bë shkas për shpejtimin e përgatitjes për sulmin e dytë kundër garnizonit turk në qytezën e Pukës. Kjo nxitje nuk dha kohën e mjaftueshme për  përgatitjen e duhur për një sulm të suksesshëm.  Berisha dhe fshatra kufi munguan në përgjithësi, sepse më 22 gusht ishte festa e Zojës në Mertur e Apripë, ku lutej me miq. Në këto kushte Parësia e  Besëlidhjes iu drejtua fshatrave të Rrugëmadhes, Bajrakut të Malziut, Nikollë Currit të Fushë-Arsit,  si edhe fshtrave të Bajrakut të Terthores.           
  Iballe me Rrugmadhe sulmuan kah Lejthiza, veriu,  kurse Bajraku i Malitzi sulmuen kah  Qafgjeli, juglindje të Pukës. Qendroi e luftoi deri sa u vra si burrat Keqan Qerimi i Trunit, sot Dëshmor i Atdheut.
                      7 SHTATOR  1912  - ÇLIRIMI I PUKËS DHE “ ORA E SHQYPNISË”
          Megjithëse me dy sulmet e para  malësorët  nuk arritën ta çlironin kryeqendrën e tyre, qytezën e Pukës, prapëseprapë nuk hoqën dorë nga ky qëllim. Parësia e Besëlidhjes mori masa për çlirimin përfundimtar të Pukës dy javë mbas sulmit të dytë. Për këtë morën masa në dy drejtime: SË PARI, të gjenin mënyra që t’i ligshtonin ( demoralizonin) shpirtërisht forcat e garnizonit turk në Pukë. Për këtë porositeshin rojat e caktueme kah Dedajt, Qerreti i Poshtëm, Qelza, Bushati, Midha, Klosi, Qafë-Krovë e Qafë-Ajtyrë ( Kabash-Bicaj ) të qitej kajherë pushkë, kurse natën të ndizeshin edhe zjarre, për t’i paraqitë si zjarre të komitave që po përgatiteshin për sulmin përfundimtar.
Mbas  luftës së Midhës nuk ju da ma lufta Turkut. Turku u mbyll në Pukë.
Dita e sulmit u caktua 7 shtatori. Berisha me Bajrakun e Terthores dhe pjesërisht i Kabashit do të sulmonin kah Koderdedaj dhe Koderlejthizë, kurse Thaçi me pjesën tjetër të Kabashit etj. të sulmonin kah Qafgjeli e Zezët.
              Kur iu afruam Fushpukës për çudi zbuluesit tonë na thanë: “ Istikamet janë pa ushtarë! Gati nuk u xumë besë. Çfarë kishte ndodhë! Forcat turke e panë se Puka do të merresh. Me  aq sa ishin, nuk u bajshin ballë malësorëve, prandaj u tërhoqën natën për në Shkodër .
Kështu pak a shumë ka shkruar edhe Kolë Biba te “Hylli i Dritës” 10/1937: “ …me 5 shtatuer u mblodhën tinzisht në Krrab të Iballës. Me 6 shtatuer në mbramje mrrrin në Bicaj të Kabashit. Prej këtu kishin qëllimin me u nis e me i ra Pukës. Tue gdhi dita 8 shtator  në shenjë demostracioni e kunorzim fitoreje dogjën sarajnë.” Mark Frrok Bajraktari i Bugjoni bashkëkohës i  luftërave për Liri e Pavarësi jep këto vargje:
Shtat Barakt po e kan vendue,/ Puken sonte me sulmue,/  I madh ej vogel kush ka ç’llue!/  Kush me huta e novica,/  Kush me kmesa e sakica!./…Zana Madhe e Terbunit,/ Me gjith  shoqe t’ majes Qllumit, /  E bashku me or’ të Pukës,/ Fluturim ka ra n’ log t’ luftes, /  DuenPuken per m’e çlirue!”
Gëzimin e madh të fitores, çlirimin e Pukës prej sundimit të gjatë osman, 7 shtator 1912, e shënon edhe Kolë Biba,( në shkrimin e botuar te “Hylli i Dritës”, nr. X, 1937), ku thot se në atë gëzim marrin pjesë edhe  shqiponjat,
“ ORA E SHQYPNISË”: “ Rrugës prej Kryeziu e deri në Preçaj u kishin shkue tue fluturue mbi krye  dy shqype të bardha, e dikush kishte fillue tuj i gjuejt me pushkë. Bibë Ndoja kishte nga vrap para e mbrapa tuj u bërtitë: “ Mos i gjueni se janë Ora e Shqypnisë.” Dhe për çudi Historia e Shqipërisë e të gjitha botimeve nuk i kanë këto përpjekje, këto luftëra e këtosakrifica të mëdha të Pukës.
                                                      Dëshmorët e Pukës
            Siç e pat edhe Promemorjen në mermer në varrezat e Dëshmorëve të Pukës, përgatitë me inisiativën dhe përkujdesjen vetëm të Bashkisë Pukë, edhe pse Dëshmorët janë të gjithë rrethit të Pukës. Aty në atë Promemorje ka një ndarje në tri shtylla. Në shtyllën e parë djathtas, siç e shikoni edhe këtu në poster, janë shënuar Dëshmorët rënë për Liri e Pavarësi të Atdheut, miratuar në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë me statusin e Dëshmorit të Atdheut.
           Si kriter vendosjeje në shtyllën I kemi marrë kohën e rënies në altarin e Lirisë, prandaj kemi filluar me Frrok Kolë Gjergjin e Qerretit të Vogël dhe Ndue Mark Prendushin e Midhës, rënë korrik 1912, Keqan Qerimin e Trunit, rënë gusht 1912, Mustafë Adem Brahen rënë nëntor 1912 dhe është vazhduar me tre Dëshmorët e Kabashit: Demë Ismail Ibrahimi, Kurt Cina dhe Rexhë Baci, rënë më 1913, në mbrojtje të Shkodrës, rrethuar prej ushtrisë pushtuese serbomalazeze. Këtu më lejoni për një parantezë: shembullin e Dem Ismailit e ndoqën edhe pasardhësit e tij:Kadri Zogu dhe Ismail Shaqë Ibrahimi, dëshmorë të LANFNÇL.
 Në vazhdim është Myftar Selmani i Micojit, Ndoc Mark Deda i Berishës dhe Çup Qafa rënë në lute me pushtuesit serbë më 1915. Që të tre kanë veprimtari patriotike që më 1910 e në vazhdim. Por duhet theksuar se Ndoc Mark Deda, të cilit iu vra baba dhe i vëllai, Mëhilli,formoi edhe çetën e tij me djemë trima berishas dhe mori pjesë në Luftën e Midhës dhe në luftimet për çlirimin e Pukës më 1912 e në vazhdim. Prandaj kënga e tij është kënduar edhe në Kosovë e deri në SHBA prej emigrantëve kosovarë. Në luftë me ushtrinë e Nemces, Austrohungareze, më 1918,kanë rënë Dëshmorë: Prengë Curri e Zekë Curri dhe Salih Tahiri. Nikollë Curri me çetën e tij kreu aksione të rësishme në Qerret, në Obot dhe sidomos në Mesul, siç këndohet në këngët e Prendush Gegës. Kjo shtyllë mbyllet me Zenel Agën e Iballës dhe Qerim Sokolin e Bugjonit që u vranë në një ditë, më 1925 prej agjenturës serbe. Veprimtaria etyre është përjetësuar në këngë popullore dhe botime. Në shtyllën e parë poshtë, majtas, rreshtohen: Ali Bytyçi dhe mbas tij, Nikollë Memë  Quku, dëshmori i parë i LANFNÇL i Pukës, i cili përfaqësohet këtu prej nipit të tij, Dedë Qafa, “Mjeshtër i Madhë” (Për arsye kohe nuk do të vazhdojmë me të tjerët, promovuar prej kohësh, por do të ndalemi në shtyllën e tretë te dëshmorët: Pllumb Isufi dhe Mark Isufi, Martirë të Demokracisë, rënë më 1950, të cilët promovohen sot.)
______
Pergatiti: Studiuesi Prof. Xhemal Meçi
Publikon: Forumi Pukjan
Date;20.11.2013

No comments:

Post a Comment